Jan zbardhur tre akuzat e SPAK për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, në kuadër të hetimeve për aferën e inceneratorit të Elbasanit. Gazetari Arsen Rusta për MCN Live raporton se bëhet fjalë për akuzat e fshehjes së pasurisë, korrupsion pasiv të zyrtarëve të nivelit të lartë shtetëror dhe pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Ai vë në dukje se pjesë e hetimeve është edhe korrupsioni aktiv, ndonëse nuk është renditur nga SPAK si akuzë më vete. "Për sa i përket tabulateve telefonike bëhet fjalë për periudhën kur është ngjizur, ose kur ka qenë procedura e inceneratorit e hapur në komisionet parlamentare, administratën publike, para dhe pas kësaj, për të dokumentuar siç është raportuar në media, njohjet me bosët e inceneratorëve, Stela Gugallja, Mirel Mërtiri, takime, marrje parash, pagesa biletash, hotelesh", raporton gazetari. Rusta bën me dije se në Parlamenti nuk do t’i japë OK-in kërkesës së SPAK, Prokuroria e Posaçme nuk mund të veprojë. Ai shton se nëse Komisioni Parlamentar për Imunitetin dhe Mandatet do ta miratojë kërkesën, atëherë mund të kemi një ndalim të menjëhershëm të Ahmetajt. Në njoftimin e SPAK, referuar Ahmetajt, thuhet: “Ky shtetas, rezulton se ka marrë cilësinë e personit nën hetim, në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të: Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim', vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal,'Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë' parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë; 'Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal".



