Agjentët e rinj të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë përfunduar testimin e poligrafit, ndërsa hapi i radhës është verifikimi i pasurisë. Janë 39 kandidatë, të cilët duhet të plotësojnë formularin e deklarimit të pasurisë. Sipas burimeve, ky proces pritet të zgjatë për disa kohë.
Nëse një nga kandidatët për BKH rezulton se bashkëjeton me ndonjë person tjetër, edhe këta të fundit duhet të japin të dhëna për llogaritë bankare, pasurive të luajtshme e të paluajtshme.
Gjithashtu ata do të japin një autorizim me shkrim për të dhënë pëlqimin që të kalojnë në sitë pasuritë e tyre. Brenda janarit pritet të përfundojë ky proces, dhe brenda ditëve të para të shkurtit mund të kemi listën përfundimtare ku më pas së bashku me verifikimin e pasurisë dhe testin e poligrafit do të bëhet certifikimi i kandidatëve.
Të përzgjedhurit, do të trajnohen për 30-60 ditë në SHBA për të qenë agjentët e parë shqiptarë që do jenë në SPAK.



