Gazetari Martin Leka foli në emisionin “Arnautistan” mbi shoqërinë me Teodor Kekon, dhe median në tërësi.
Leka tha se mori si vendim të qëndronte 10 vite pa shkruajtur fare. Ndër të tjera ai tha se gazetarët dhe analistët ndoshta duhet të bëjnë një pakt për të ikur nga studiot televizive, kur u duhet të thonë të njëjtat gjëra herë pas here.
Dorin (Teodor Kekon) e kam pasur mik të vjetër. Është ajo çka i mungon publicistikës tani. Rrallë gjen njerëz të pakompromis dhe të zgjuar jo vetëm për nga kultura, por edhe nga zgjuarësia natyrore, të cilët do t’i duheshin shumë këtij vendi. Ndoshta duhet një pakt i madh mes nesh që të ikim nga studiot televizive kur duhet të themi të njëjtat gjëra herë pas herë, sepse e njëjta gjë ndodh në politikën shqiptare. Nuk kam qenë pjesë e banaqeve mediatike dhe e kam të vështirë me thënë të drejtën…Unë kam pas marrë prej kohësh një vendim, kam ndenjur 10 vjet pa shkruajtur fare. Dy shkrime që i kam shkruajtur, i kam shkruajtur për Teodor Kekon. Kishte një përvjetor dhe unë i dërgova një letër. Unë kam edhe kompleksin e madh, dal e shkruaj, a më lexon njeri apo jo. Ditën që më morën vetëm dy veta në telefon për një shkrim editorial te Panorama, dhe asnjë tjetër, vendosa të mos shkruaj më. Sepse kur nuk i ngjall dikujt një emocion, atëherë të flasësh me mure është e kot dhe vendosa të mos shkruaj. Mendoj që në këtë lumin e madh të prurjeve të medias, ne jemi pjesë e shoqërisë, edhe media është pjesë e shoqërisë. Në këtë kuptim shajmë kot një format që e shohim. Unë e shoh për vete, sepse kuptoj një Shqipëri të vogël me intriga dhe thashetheme”.



