
Zhvillimet e fundit politike në vend, veçmas në kampin e djathtë, për analistin Alfred Lela, kanë bërë që PD të ndodhet nën kushtet e një presioni të madh, nga njëra anë, SHBA që i kërkon të largojë Berishën dhe nga ana tjetër, vetë ai që nuk tërhiqet dhe mungesa e një vendimmarrje nga ana e kryetarit të PD. I ftuar në studion e lajmeve në MCN TV, Lela, specifikon se në këtë aspekt, vendimmarrja është mëse e vështirë, meqë Sali Berisha, ka peshë sa vetë partia.
“Pyetja do të duhet të ishte, jo a është koha që PD të ndahet nga Berisha, por a do të duhej që Berisha të largohej nga PD?. Është e vështirë meqë Berisha ka peshë sa vet PD, prandaj e bën të vështirë ndarjen. Lulzim Basha, në këtë rast është me “gur nëpër dhëmbë”, prandaj mezi flet. Është një vendim i brendshëm i kësaj partie, dhe vendimi do të reflektoj edhe si lidhet apo si nuk lidhet si vendim me shoqërinë”.
Analisti Lela, thotë më tej, se ky vendim mund të jetë pika e kthesës politike për lidershipin e Lulzim Bashës?
“Basha ka pasur të gjithë kohën e mundshme për të marrë ato vendime që do e bënin lider, i ka bërë-si ka bërë, është tjetër gjë. Ky madje është “fatkeqësisht” edhe momenti më i keq për të marrë një vendim, sepse nëse do të duhej ta kishte “vrarë të atin”, po e cilësoj një vrasje politike,
do të duhej ta kishte bërë me herët, që pas gjashtë muajsh që kur erdhi në PD, do të duhej të ishte ndarë nga Berisha, dhe nuk mundi, apo nuk dinte, nuk u la, për ta bërë profilin e vet të vecantë në atë parti, nuk e dimë, e dimë çfarë mendon Berisha, kurse Basha, nuk dimë gjë".
Sipas gjykimit të analistit Lela, teksa duket se Berisha ka marrë vendimet e veta, PD dhe Basha, janë tashmë në një “qorrolisje”.
“Çfarë duhet të bëj tjetër Berisha, përveç aksioneve që ka ndërmarrë, është shpallur non-grata, dhe ka zgjedhur formatin për gjykim, ose do të “zbythej” gjë që nuk është në stilin e Berishe, pra do të ishte edhe më keq, do të ikte, dhe ne do thonin, ja iku..Porse, DASH, ambasadorja Kim dhe Berisha, i kanë marrë vendimet e tyre, pa vendime janë këtu Basha dhe PD, ata do të dhe të ndahen dhe të thonë, “janë me Berishën apo me DASH”, porse ata tani janë në një “qorrollisje”.
Ndërkohë kthimin e PD në Parlamentin e ri në shtator, Lela e sheh si një mundësi jo gjithaq të mirë për PD, sepse sipas tij, tashmë aty ka një dyshe si asnjëherë më parë, bëhet fjalë për dyshen Rama-Berisha, kurse Basha është numri dy.



