Partia Demokratike, dega Shkodër, ka reaguar lidhur me ndërtimet që po kryhen në zonën e Baks Rrjollit, pjesë e Njësisë Administrative Velipojë dhe Bashkisë Shkodër, duke i cilësuar ato si një krim mjedisor dhe një abuzim me zhvillimin e territorit.
Sipas deklaratës së PD, hapësira e fshatit Baks Rrjoll është nxjerrë qëllimisht nga Zona e Peizazhit të Mbrojtur Bunë–Velipojë në vitin 2019, gjë që, sipas opozitës, ka lehtësuar më pas ndërtimet pa kriter dhe shkatërrimin e mjedisit në këtë zonë.
Demokratët theksojnë gjithashtu se në vitin 2024 është ndërmarrë një tjetër tentativë ligjore që, sipas tyre, favorizon abuzimet me territorin, përmes amendimit të ligjit për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit.
Sipas këtij ndryshimi, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujërave fiton kompetencën për dhënien e lejeve të ndërtimit edhe në zona të mbrojtura, çka sipas PD-së rrit rrezikun e shkeljeve mjedisore.
Në deklaratë, PD Shkodër e cilëson situatën si pasojë të kapjes së pushtetit nga interesa të ngushta dhe paralajmëron për një dëm të madh mjedisor në zonë, duke kërkuar ndalimin e abuzimeve dhe mbrojtjen e territorit.



