Emisioni “Fol” i gazetarit Erjon Skëndaj u ndal sot në fshatin Fterrë të rrethit Sarandë, që është sot një vend i shpopulluar dhe me një rrugë të shkatërruar. Banorët thonë që premtimi për bërjen e rrugës ka rikthyer disi shpresën për ndërtimin e bujtinave, por ka shumë problematika të tjera, si ujësjellësi i amortizuar, mungesa e ujit për vaditje.

Profit Zani, kryeplaku i fshatit tha:
“Kisha 140 familje në 90-ën, tani kanë ngelur 40 familje, 60 banorë. Nga 360 banorë kemi 60 banorë aktualisht. Në 60 banorë 50 janë pensionistë. Edhe këtu fëmijët ikin për një jetë më të mirë. Një haber i mirë është dhënë që do asfaltohet rruga. Janë ngjallur orekset tani që morën vesh për rrugën dhe duan t’i kthejnë shtëpitë në bujtina. Kemi disa probleme të tjera. S’kemi vend për varreza. Kemi probleme me ujin. Punojnë dy hidrocentrale me ujin tonë dhe ne jemi pa ujësjellës, është tejet i amortizuar dhe uji që vjen nga ujësjellësi nuk pihet. Problem tjetër kemi sistemin e vaditjes dhe kullimit. Sistemi vaditës është i amortizuar. Kryesisht njerëzit jetojnë me pensione dhe remitanca nga jashtë”.
Banorët thonë se shpesh fshati mbetet pa energji elektrike, ku në një rast ndriçimi rrugor është ndërprerë për afro 3 muaj.



