Në studion e lajmeve në MCN TV, Bianka Çopja, anëtare e Këshillit Bashkiak Elbasan, tha se përgjegjësinë për skandalin Kurum duhet ta mbajë Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Çopja u shpreh se arrestimet e deritanishme janë të një niveli të ulët.
Elbasani është qyteti më i ndotur në Shqipëri. Është një konstatim jo vetëm i imi por edhe në raportin e AKM. Në Elbasan nuk është vetëm Kurumi, është edhe inceneratori.
Janë mbetje që nuk duhej të kishin dalë fare. Janë mbetje toksike. Është bërë krim mjedisor. Si ka mundësi që askush nuk mban përgjegjësi? Kompania Kurum vazhdon aktivitetin e saj. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për atë që ndodh.
Për mua, Ministria e Mjedisit dhe AKM të dalin me një raport çfarë ka ndodhur me këto mbetje. Arrestimet janë në nivel të ulët, duhen përfshirë persona të tjerë. Çdo hetim që fillon nuk mbaron, mbetet i heshtur.
Kurumi prej shumë vitesh është ndotës i madh i ajrit në Elbasan. Mjafton të vini pas orës 18:00 dhe shihni një re tymi që mbulon qytetin çdo ditë. Ne kemi kërkuar prej kohësh informacion dhe asnjë informacion nuk ka ardhur. Nuk kemi të dhëna të sakta se çfarë ndodh brenda kësaj kompanie.



