Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo në studion e lajmeve në MCN Tv ka komentuar lidhur me zgjedhjet e mbajtura sot në veri të Kosovës për të cilat u shpreh se nuk kishte asnjë motiv për të ndodhur incidente. Ai tha se diskutimi kryesor aktualisht ëhstë legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve, ndërsa theksoi se Serbia ndoqi politikën e vjetër të sabotimit. Sipas tij, palët e dinë se kjo është një provë force dhe se këto zgjedhje dëshmuan se situata në veri të Kosovës është jashtë kontrollit.
Procesi në tërësi siç e ndoqëm ka qenë i qetë, një proces pa incidente. Incidentet nuk ndodhën sepse ata që e komandojnë komunitetin serb në veri e kanë ndjekur qëllimisht këtë taktikë duke bërë thirrje që serbët të mos dilnin dhe të shkonin në votime dhe për rrjedhojë s’kishte kush të bënte trazira. Me pak fjalë, nuk kishte lëndë, apo motiv për të pasur incidente, dhe zgjedhjet kanë qenë të qeta sepse ka pasur dhe vëzhgues dhe gjithçka ka treguar se procesi ishte i qetë, por ajo që diskutohet tani janë dy çështje që është legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve kur aty kanë marrë pjesë një pakicë votuesish dhe e dyta cili do të jetë ndikimi i këtyre zgjedhjeve në ardhmërinë e Kosovës për tu qeverisur. E gjithë kjo vë në dyshim dhe marrëveshjen e fundit të Ohrit e cila duhej të mund të jepte një sinjal pozitiv të parë siç ishte krijimi i atmosferës për ti bërë këto zgjedhje, por si gjithmonë Serbia ndoqi taktikën e saj të vjetër atë të sabotimit të zgjedhjeve.
Në vijim ai shtoi se aktualisht dhe marrëveshja e Ohrit tashmë ka një pikëpyetje të madhe përpara dhe e dyta komuniteti ndërkombëtar, SHBA dhe BE duhet tashmë të reflektojnë dhe të shohin qartë se ku qëndron e keqja për të gjetur stabilitet Kosova sepse sipas Milos është Serbia, Beogradi që janë të interesuar për të mbajtur të tensionuar veriun e Kosovës që ta shfrytëzojnë për interesat e veta.
Të dy palët e kuptojnë se kjo është një provë force sepse janë të ndërgjegjshëm që në respekt të kushtetutës dhe ligjit zgjedhor zgjedhjet janë të sakta. Procesi ishte në rregull që nuk vajtën qytetarët është një arsye tjetër madhore politike që ska të bëjë me përmbajtjen e zgjedhjeve dhe ligjit. Nga pikëpamja ligjore zgjedhjet janë të drejta, ndërsa nga pikëpamja e legjitimitetit ka pikëpyetje të mëdha sepse legjitimitet do të thotë shprehje e shumicës së qytetarëve për të zgjedhur. Nëse flasim se kanë marrë votën e 3-4 % ndërkohë që 50% e qytetarëve të tjerë s’kanë marrë pjesë fare në votime patjetër që vihet në pikëpyetje legjitimiteti. Të gjithë analistët kanë nënvizuar që kjo është një lëvizje e përkohshme, një lëvizje për ti dhënë edhe procesit ligjshmëri dhe nga ana e komunitetit ndërkombëtar duke qenë të ndërgjegjshëm se pjesëmarrja do të ishte e ulët dhe këtë e bënë në respekt të ligjit dhe për të dëshmuar se ata respektojnë ligjin vendimin dhe nga kjo pikëpamje formale ata janë në të drejtën e tyre, por nga pikëpamja e taktikës ata janë po kaq të ndërgjegjshëm që këto zgjedhje ishin thjeshtë një formalitet që s’do të jetë jetëgjatë por i jep të kuptojë Serbisë se jo çdo gjë që këmbëngul dhe pengon mund të të realizohet.
Ai theksoi se gjithmonë duhet të veprohet përveç diplomacisë dhe negociatave për të gjetur zgjidhjet e duhura që duhet të jenë kompromisi sepse zgjidhjet e njëanshme nuk prodhojnë stabilitet.
Dhe të gjitha përpjekjet që po bëhen drejt një marrëveshje përfundimtare atë synojnë që të zgjidhin por se si do të gjendet zgjidhja përpjekje po bëhen por palët po kërkojnë një mënyrë absolute ku njëra palë merr gjithçka dhe tjetra asgjë. Palët duhet të arrijnë në një marrëveshje dhe fakti se në fillim të majit Vuçiç takon Kurtin mund të jenë dhe të shohim se si do lëvizin letrat por një gjë dihet se këto zgjedhje dëshmuan se situata në veri të Kosovës është për fat të keq jashtë kontrollit të autoriteteve të Prishtinës.



