Eksperti i energjisë, Azmer Duleviç, thotë se shumë prej banesave nuk kanë instalimet e duhura elektrike dhe hidraulike. Sipas tij, një numër i madh pallatesh në shumë prej qyteteve të vendit nuk plotësojnë kriteret e sigurisë.
Problemet nisin nga projektimi. Por ka edhe objekte të para viteve ’90 kur nuk është bërë asnjë kualifikim. Duhet të ketë një plan të mirëfilltë nga ana e institucioneve. Ka qytetarë të pambrojtur që janë akoma me një automat. Në realitet marangozi bën instalimet elektrike apo hidraulike. Bëhen nga njerëz të pakualifikuar. Ka pallate që nuk kanë sensorë, nuk kanë fikëse zjarri. Duhet të fillojë me gjobë apo me heqjen e licencave.
Ka shumë pallate dhe banesa, sepse nuk është vetëm Tirana, kemi shumë qytete me ndërtime të para viteve ’90. Aty diskutohet siguria e banesës për të mos diskutuar për pajisje luksi. Prandaj duhen kontrolle që certifikojnë si janë bërë këto punime.
Duleviç tha se ka nevojë emergjente për themelimin e Urdhrit të Inxhinierit, i cili duhet të jetë efektiv.
Nuk kemi urdhër inxhinieri. Ka pasur tentativa, por mënyra si është organizuar lë për të dëshiruar. Këtu duhet të ketë një urdhër inxhinieri po duhet të jetë funksional.
Sipas tij, kostoja e punimeve për të ndërtuar një sistem optimal elektrik arrin deri në 10 mijë euro.
Për të ndryshuar nga fillimi në total një apartament 1+1, me punime cilësore, mund të shkojë minimum 3 milionë lekë, por nëse fusim edhe shërbime smart diku deri te 10 mijë euro.



