Pesë shtetas amerikanë që mbaheshin të ndaluar në Iran, arritën të hënën në Katar, në shkëmbim të pesë iranianëve të ndaluar në Shtetet e Bashkuara.
Marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve mes dy vendeve kundërshtare u ndërmjetësua nga Doha.
Në marrëveshje gjithashtu përfshihet edhe zhbllokimi i fondeve iraniane prej 6 miliardë dollarësh nga një bankë koreanojugore.
Qeveria amerikane i ka caktuar të pesë amerikanët si të arrestuar gabimisht. Lirimi i amerikanëve i jep fund një makthi shumëvjeçar për ata që ishin arrestuar.

Pas ndalimit në kryeqytetin e Katarit, ata do të udhëtojnë për në zonën e Uashingtonit, DC, për t'u ribashkuar me familjet e tyre, tha zyrtari.
Lirimi i tyre përfaqëson një përparim të rëndësishëm diplomatik pas viteve të negociatave të ndërlikuara indirekte midis Uashingtonit dhe Teheranit. Shtetet e Bashkuara dhe Irani nuk kanë lidhje zyrtare diplomatike.
Marrëdhëniet ranë më tej nën administratën Trump, kur SHBA u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe ndoqi një qasje "presioni maksimal" ndaj Teheranit.
Në vitet që pasuan, përpjekjet për të kufizuar programin bërthamor në rritje të Iranit kanë qenë të pasuksesshme.

Ndërkohë, Teherani ka vazhduar të kryejë shkelje të të drejtave të njeriut kundër popullit të tij. Vdekja e vitit të kaluar e 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgimin e të ashtuquajturës polici morale e Iranit shkaktoi protesta mbarëkombëtare të cilat u shtypën brutalisht.
Lirimi është marrëveshja e fundit e profilit të lartë e negociuar nga administrata Biden për të siguruar lirimin e amerikanëve që konsiderohen të arrestuar gabimisht jashtë vendit pas lirimit të amerikanëve nga Rusia dhe Venezuela.



