Reshje dëbore ka patur edhe në Llogara gjatë orëve të mbrëmjes dhe në orët e para të kësaj të marte. Temperaturat e ulëta kanë bërë që fshati turistik i Llogarisë të zgjohet në petkun e dëborës.
Rrugët janë të kalueshme pasi dy borëpastruese kanë punuar për hapjen e tyre. Ndërkohë prej dy ditësh defektet në linjat e tensionit kanë bërë që fshati Llogara të jetë pa energji elektrike.
Niveli i Vjosës ka vajtur ne 6.10 metra mbi nivelin e detit, ndërkohë që maksimalen e arriti mbrëmjen e djeshme pas mesnate në kuatat 6:70 cm, duke përmbytur pjesën e tregut të gjësë së gjallë.
Sipas shtabit të emergjencave rrisku për banesat është kur niveli i Vjosës kalon kuatot 7:30 mbi nivelin e detit. Gjithsesi nëse do të ketë reshje në zonën e Përmetit dhe Tepelenës do të ketë sërish fryrje të lumit Vjosë.
Ndërkohë edhe rajoni i Lezhës është përfshirë nga reshje dëbore. Dëbora ka zbardhur malet edhe në zonat e ulëta.
Sipas raportimeve në njësinë administrative Ungrej, trashësia ka arritur deri në 20 cm, por deri tani nuk raportohet për problematika. Situata po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm.
Debora ka zbardhur edhe aksin Prrenjas- Qaf Thanë si pasojë e reshjeve të dendura që kanë rënë gjatë gjithë natës. Nga reshjet e dëborës nuk janë raportuar incidente.



