Gazetari Denis Dyrnjaja tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se opozita po sillet si një adoleshente në politikë dhe është bërë e pabesueshme. Dyrnjaja theksoi se PD nuk ka strategji dhe improvizimet sa me mosbindje civile, sa duke hyrë në Kuvend, e kanë bërë qesharak aksionin opozitar. Gazetari tha se PD mund ta kishte negociuar qeverinë teknike gjatë bisedimeve për Reformën Zgjedhore.
“Opozita është në ulje-ngritjet e veta, në këto vendimmarrjet e luhatshme si cikli menstrual i grave, i vajzave, me gjithë respektin por me ato luhatjet e humorit. Herë del nga Parlamenti, herë hyn në Parlament. Ka një lloj frustrimi të çuditshëm, sjellje të çuditshme apolitike. Parlamenti duhet të jetë gjithmonë në vazhdimësi të pandalueshme. Opozita duhet të jetë aty sepse është zgjedhur që të luajë këtë rol. Është aty si gardiane për t’u bërë digë, mbrojtëse, ndaj veprimeve të mazhorancës, që shpesh herë mund të mos jenë në përputhje me interesat e qytetarëve. Opozita s’ka një strategji dhe improvizimet e kanë bërë edhe qesharak gjithë aksionin opozitar. Parlamenti iu rikthye normalitetit anormal. Parlamenti normal është ai që debaton për çështjen e pensioneve, për konsumin, problemet e ditës. Këtu po diskutohet tani vetëm me terma të sfidave politike banale, që s’i interesojnë fare publikut. Një mazhorancë pa opozitën në Parlament është në siklet.
Çështja më e rëndësishme ishte pikërisht ajo që lidhet me reformën zgjedhore. E kishin në dorë përcaktimin për qeverinë teknike në negociatat për reformën zgjedhore. E votuan ashtu siç deshën, me dakordësinë e dy palëve, edhe pse dukej se kishte një hendek të madh, u ulën, ranë dakord për listat e mbyllura. Ta kishin negociuar qeverinë teknike, dhe të ishte gjithmonë tre muaj para zgjedhjeve një qeveri teknike. Njerëz që shkojnë aty dhe kanë hallin e Berishës, e gjithë historia rrotullohet rreth Berishës, e gjithë pjesa tjetër është kontur që rrotullohet rreth Berishës. Opozita është e pabesueshme, s’është e sinqertë me çfarë ka bindje politike.
Sjellja e opozitës është sjellja e një adoleshenti që s’ka gjetur maturitetin e nevojshëm. Është në një rrëmujë me veten, ka humbur qartësinë, sepse implikohen interesa personale, interesa të grupacioneve të ndryshme, atje ka njerëz që vegjetojnë kot. Protagonistët që dalin sot në opozitë e bëjnë më shumë për të fituar kredo politike te elektorati i vet, sepse është edhe çështja e listave, po s’u futën në Parlament ngelen pa punë”.
Sipas tij asgjë nuk do të ndryshojë në raport me politikën shqiptare pas rizgjedhjes së Donald Trump-it President i SHBA-ve. Ai theksoi se politikisht, nga pikëpamja diplomatike, Rama është gjithmonë është një hap më para.



