Diplomati Lisen Bashkurti e krahason situatën e kultivimit të drogës në vend me Kolumbinë. Gjatë një debate në “Ora Neës”, diplomati dha alarmin se Shqipëria është në fazën e krijimit të karteleve të drogës. Bashkurti u shpreh se Shqipëria duhet të shohë edhe modelet e së keqes në Kolumbi, kur procesi i kanabizimit u mbyll me 35 mijë të ekzekutuar.
“Që kemi hyrë në rrugën e Kolumbisë kjo është e qartë. E pritëm me entuziazëm goditjen që u bë në Lazarat dhe menduam se do të ketë një seriozitet, një angazhim sistemi i sigurisë kombëtare. E vërteta është që ne kemi dështuar si shtet me kanabizimin. Shqipëria ka hyrë në linjën më të keqe lidhur me drogat. Në Kolumbi kjo punë është mbyllur me 35 mijë të vrarë dhe janë në listë edhe 6 mijë për t’u ekzekutuar. Ballafaqimi është i jashtëzakonshëm. 35 mijë janë ekzekutuar me ushtri. Shqipëria duhet të shohë këto modele të së keqes, sikurse shohim edhe modelet e mira të BE. Hyhet në këtë rrugë shumë lehtë, dalja është e përgjakur. Ia them këtë edhe kryeministrit Rama edhe kryeministrit që do të vijë. Shqipërinë e kanë futur në rrugën më të keqe. Shqipëria është në fazën e krijimit të karteleve. Janë krijuar kartelet. Këto nuk financojnë, këto kapin ekzekutivin, sistemin e sigurisë, prokurorinë. Pse? Sepse kartelet kanë financa më shumë. Sistemin e sigurisë e kemi të dështuar. Ne kemi 2.6 % të PPB e kemi kanabis, ndërkohë që nuk financojmë as 0.8% nga detyrimi që kemi për NATO-n”, tha Bashkurti.



