
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin për shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtarit Astrit Haxhialushi. Ky vendim u dha ditën e sotme nga trupi gjykues i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore, Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë
Vendimi
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore, Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.7/2020, datë 05.02.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Astrit Haxhialushi, kundër vendimit nr. 225, datë 07.01.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 225, datë 07.01.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Astrit Haxhialushi. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 28.12.2020″, thuhet në njoftim.
Me shkarkimin nga detyra, Haxhialushi përjashtohet për 15 vite nga sistemi i drejtësisë.



