
Mahmood, 27-vjeçari me origjinë egjiptiane ka rrëmbyer trofeun e festivalit të 69-të italian, Sanremo.
27-vjeçari nuk e ka besuar fitoren, ndërsa ka falenderuar të gjithë për mbështetjen, pavarësisht kritikave raciste të shfaqura së fundmi në Itali për emigrantët.
27-vjeçari i lindur me nënë italiane dhe baba egjiptian, Mahmood mbërriti në skenën e Ariston, pasi fitoi bashkë me Einar edicionin e fundit të Sanremos për të rinjtë, dhjetorin e kaluar. Kjo do të thotë se për reperin 27-vjeçar, kjo është fitorja e dytë.
Televotimi i ka dhënë çmimin e parë reperit 27 vjecar, pas klasifikimit të përkohshëm që e kishte vendosur në vendet e para, së bashku me tre djemtë e grupit “Il Volo” dhe super të favorizuarit Ultimo. Në fund, kënga e tij “Soldi” mori çmimin e madh në edicionin e 69-të të Sanremos.
Ndërkohë, pas fitores së çmimit të parë në Sanremo nga një italian, me origjinë egjiptiane ka reaguar edhe zv.kryeministri italian, Matteo Salvini. Ky i fundit u shpreh kundër fitores së 27-vjeçarit. Në një postim në Tuiter, Salvini është shprehur “Mahmood… mah….Kënga italiane më e bukur?!? Unë do kisha zgjedhur Ultimon, si mendoni??”.
Arritja në majën e Sanremos nga këngëtarë me origjinë të huaj nuk është rasti i parë në festivalin e përvitshmë të këngës italiane. Vitin e shkuar, fitues u shpall këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta, në duet me italianin Fabricio Moro, me këngën “Non mi aveto fatto niente”.



