
Analisti Neritan Sejamini, përmes një lidhje “Skype” për MCN, ka komentuar gjendjen e sektorit të ndërtimit në Shqipëri, duke përjashtuar mundësinë e një flluske të pasurive imobiliare. Ai thekson se ndryshe nga rrethanat e krizës së vitit 2008 në SHBA, në Shqipëri ndërtimet janë financuar kryesisht me kapitalet personale dhe para informale, duke eliminuar kështu mundësinë e një krize financiare.
Sejamini gjithashtu vë në dukje se sektori bankar ka pasur një rritje, e cila lidhet me rritjen e përgjithshme të ekonomisë dhe jo me një kërkesë të lartë krediti për ndërtim.
Intervista:
-Z.Sejamini së fundmi ka një diskutim për të ashtuquajturën flluskë në sektorin e ndërtimit që nëse ndodh do të ketë pasoja të mëdha në vend. Nisur nga përvoja ndërkombëtare, edhe ajo e vitit 2008, kemi hyrë në kushtet e shpërthimit të flluskës së pasurive imobiliare?
Do isha i kujdesshëm me termat sepse nuk e dimë çfarë ka sektori ndërtimit. Krahasimi me recesionin ekonomik në SHBA nuk mund të krahasohet me situatën tonë. Ajo që duhet të themi për Shqipërinë është që këtu ka më shumë apartamente sesa banohen. Po të shikosh bizneset shqiptare shikon që ka kudo dhe nuk ka nevojë për ndërtime. Ti mund të gjykosh që nuk ka kërkesë për ndërtime të reja, por ndërkohë ndërtimet janë të bujshme.
Po të shikosh të dhënat bankare shikon që nuk ka shumë kërkesa. Bumi në Tiranë është i nxitur nga paraja informale dhe nuk ka rrezik për flluskë sepse nuk preken qytetarët shqiptarë sepse nuk janë ndërtuar me kredi dhe kapitale personale.
-“Sektori bankar ka ekspozim minimal”, deklaronte pak ditë më parë drejtori i ABI Bank, Andi Ballta. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë si ta shpjegojmë rritjen progresive të sektorit bankar, kur ai qëndron jashtë një ekonomike kaq dinamike si ndërtimi?
Nuk më duket se ka ndonjë rritje të lartë sektori bankar. Është rritur ekonomia prandaj është rritur dhe sektori bankar. Një pjesë e rritjes është nga rritja ekonomike dhe një pjesë tjetër është që është rritur ekonomia dhe kanë më pak kredi të humbura. Nuk kemi një pasqyrë të qartë.



