
Deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiç se të gjithë po përgatiten për lufte dhe se Kosova po e shfrytëzon këtë kohë për të bindur Europën dhe NATO-n të mbajnë anën e saj, kanë sjelle reagimin e presidentes Vjosa osmani. Në rrjetin social X, Osmani i quan të rrezikshme deklaratat e Vuçiç ndërsa shton se ai do të ketë të njëjtin fund si Milloshevici
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të bëra nga presidenti serb Aleksander Vuçiç në kopenhagen dhe thirrjet e tij për luftë. Duke folur për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, Vuçiç tha se “bota do të bëhet gjithnjë e më e vështirë” dhe se ai “mendon se po shkojmë drejt një konflikti të madh”.
“E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedimet, ata thjesht po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Ata po gërmojnë llogoret e tyre dhe po e presin fillimin”, tha Vuçiç
Vuçiç i bëri këto komente pasi u pyet nga një gazetar për thirrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që Evropa t’i parandalojë taktikat agresive dhe destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.
Kjo deklaratë solli reagimin e ashpër të presidentes Vjosa Osmani.
“Thirrjet e pamatura të Vuçiçit për luftë janë një jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit. Në vend që të kthejë faqen, Vuçiç dhe regjimi i tij po flirtojnë përsëri me të njëjtat fantazi shkatërruese që dikur shkatërruan jetë të panumërta të pafajshme", shkruan Osmani në rrjetin social x.
Me tej ajo e krahason Vuçiç me Slobodan Milosheviçin ndërsa shprehet e bindur se do të ketë të njëjtin fund.
“E kemi parë këtë të zhvillohet edhe më parë. Në vitet 1990, Slobodan Millosheviç zgjodhi luftën gjenocidale si instrumentin e tij të fundit të dëshpëruar të pushtetit. Por historia është e qartë dhe e pamëshirshme. Millosheviçi dështoi - dhe kështu do të dështojë edhe Vuçiçi. Nga ana tjetër, Kosova ka zgjedhur paqen. Paqen, të cilën ne do ta mbrojmë me çdo kusht", shkruan presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.



