Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ndaluar sot në Fier, ku ka takuar votuesit e partisë së tij, në kuadër të nismës për të dononcuar krimet zgjedhore të ndodhura sipas tij gjatë procesit zgjedhor të 25 prillit.
Ndër të tjera kryedemokrati ka bërë me dije se 25 prilli u kthye në një ditë vjedhjesh, më të madhen në 30 vite.
Sipas Bashës regjimi Rama-Doshi ka ndaluar përkohësisht ndryshimin që e duan të gjithë shqiptarët, edhe socialistët.
“Për herë të parë ndoshta në histori, demokrat e socialist janë të një mendje pavarësisht se njëra palë e thotë me zë të lartë, e tjetra me zë të ulët. Vullneti i qytetarëve më 25 prill u tjetërsua. U tjetërsua përmes përdorimit masiv të makinerisë shtetërore në kundërshtim flagrant me ligjin, u tjetërsua përmes vjedhjes dhe përdorimit si në kohët e sigurimit të shtetit të dhënave personale të qytetarëve për t’i intimiduar ata. U tjetërsua duke e nxjerr zbuluar atë që e di gjithë bota, e di gjithë Europa, e di Amerika, të cilët janë shprehur qartë për nevojën për ndryshim. Binomin Rama-Krim, regjimin Rama-Doshi i cili kësaj radhë ka lënë gjurmët e gishtave kudo. Jo vetëm në Shkodër, por kudo, nga Vermoshi në Konispol, edhe këtu në Fier. Se çfarë programi ofroi Tom Doshi fierakëve, këtë pres të ma shpjegojë zonja ose zotëria më i zgjuar i Fierit, qoftë socialist apo jo. Sigurisht që nuk ka nevojë për shpjegim. Por ne sot nuk jemi këtu për të ulur kokën dhe për të thënë atë që e dinë të gjithë: që 25 prilli ishte ditë e një masakre elektorale të nisur muaj më parë. Ne jemi këtu në radhë të parë për të pohuar se ne u futëm në këtë betejë me vetëdijen e plotë se vetë në fushatën tonë, në shpirtrat tanë, në raportin tonë me qytetarët kishim zbritur në të njëjtin nivel dhe ishim rritur në të njëjtin nivel morali si ata. Për herë të parë që nga 91-shi pa asnjë pushtet, por me zemrat dhe mendjet e mbushura me hallet dhe problemet e tyre që nga naftëtarët e Ballshit tek fermerët e Myzeqesë, që nga pensionistët e mjeruar në ekstrem tek të rinjtë në dëshpërim, që nga bizneset e vogla për të cilat Fieri mban rekordin e mbylljeve përditë tek largimi dhe emigracioni masiv për të cili Fieri është qarku i dytë që është zbrazur më shumë pas Kukësit, por dhe me zgjidhje, jo pallavra, zgjidhje reale. Jo çfarë donin të dëgjonin të gjithë këta vëllezërit, motrat, prindërit, fëmijët tanë. Por çfarë merrnim ne përsipër? Çfarë marrim ne përsipër?
Sepse në fund të fundit këtë betejë ndryshe nga regjimi Rama-Doshi ne nuk e nisëm për veten tonë dhe për këtë provat i kemi dhënë të qarta. Kur ishte puna për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë e rrëzimit të regjimit në mënyrë të parakohshme ne dorëzuam edhe atë pushtet që kishim duke djegur mandatet jo për të tradhtuar besimin e atyre që kishin votuar demokratët siç na thonë sot disa si kofini pas të vjelit, por për t’u përballur siç u përballëm dhemb për dhemb. Pra, kjo betejë nuk ishte për pushtetin tonë, e kam thënë prej ditës së parë, e keni dëgjuar nga goja ime, e keni dëgjuar nga goja e përfaqësuesve tanë politikë, e kandidatëve tanë në çdo takim fushate. Ndaj dhe moto dhe mesazhi kryesor i fushatës tonë ngërthente atë që do çdo shqiptar, çdo shqiptar pa përjashtim: Bashkë për ndryshim, Shqipëria Fiton! Sepse beteja ishte për shqiptarët, sepse beteja vazhdon të jetë për shqiptarët. Sepse sot më shumë se kurrë ata kanë nevojë të shpresojnë, të besojnë dhe të drejtohen e të udhëhiqen për t’i nxjerrë nga një hall i cili është edhe më i madh se ai që kishim para 25 prillit. Çfarë zgjidhi 25 prilli për qindra naftëtarë dhe punonjës të rafinerisë? Çfarë zgjidhi për mijëra fermerë të Myzeqesë? Çfarë zgjidhi për bizneset e vogla? Çfarë zgjidhi për ata mjeran të cilët pasi i varfëroi deri në palcë ua bleu dinjitetin me një grusht parash të vjedhura po nga xhepat e tyre? Asgjë!
Dhe këtu vijmë tek konkluzioni ynë i parë. 25 prilli tregoi se demokratët pa asnjë mjet pushteti në dorë, vetëm me shpirtin e tyre janë në gjendje të bëjnë një mobilizim masiv dhe t’i kundërvihen një pushteti të tërë e ta çojnë në buzë të greminës gati për ta hedhur aty ku e ka vendin. Padiskutim me këtë vjen edhe konkluzioni i dytë i cili besoj se nuk është sekret as për strukturat tona dhe as për qytetarët shqiptarë, masakra elektorale e 25 prillit nuk do të njihet rezultati i tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve, nuk do të pranohet. Për këtë nuk ka pikë diskutimi. Beteja do të vazhdojë, beteja do të vazhdojë pikërisht për ata të cilët e nisëm, jo për karrigen time, as të Enkelejdit e as të kandidatëve tanë të tjerë, jo për poste drejtorësh apo për tendera, apo për të hapur dyert e doganave për kontrabandë apo për të bërë aleancë me krimin. Jo, jo. Ky degradim, kjo dekadencë, ku degjenerim është për fatin e keq të Shqipërisë sot sëmundja që ka mbërthyer për vdekje kundërshtarin tonë politik.
Beteja jonë do të vazhdojë për shqiptarët, beteja jonë do të vazhdojë për fierakët, beteja jonë do të vazhdojë për prindërit që duan t’i rrisin e t’i mbajnë fëmijët këtu. Beteja jonë do të vazhdojë për Shqipërinë dhe për demokracinë. Nuk mjaftojnë thirrjet për sy e faqe që krimet zgjedhore të zbardhen me transparencë e me shpejtësi. Të gjithë shqiptarët e dinë që 25 prilli u kthye në një ditë vjedhjesh, më të madhen në 30 vite. Nuk mjafton ndëshkimi i tyre, gjëja e vjedhur duhet t’i kthehet të zotit. Nuk na kanë vjedhur ne, kanë vjedhur shqiptarët, ndaj e vetmja rrugë përpara është që shqiptarëve t’ju kthehet një orë e më parë vullneti i tyre i lirë”.



