
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar lidhur me protestën e sotme të studentëve, ndërsa ka paralajmëruar qytetarët e saj që të shmangin zonat ku po zhvillohet protesta.
Në njoftimin e saj, Ambasada Amerikane thekson se protesta është përshkallëzuar në dhunë dhe ekziston mundësia që protesta të shtrihet edhe në rrugët përreth dhe pranë institucioneve qeveritare.
“Një protestë në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, është aktualisht në zhvillim dhe është përshkallëzuar në dhunë për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të shtrihet edhe në rrugët dhe blloqet përreth, si dhe pranë godinave qeveritare, duke sjellë një prani të shtuar të forcave të Policisë, ndërprerje të qarkullimit, devijime të trafikut dhe bllokime të rrugëve.
Personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë është këshilluar të shmangë demonstratat. Ju lutemi, qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale në plan të parë. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit për t'u informuar mbi zhvillimet më të fundit.”



