Drejtësia për “21 janarin” nuk është vendosur ende në vend. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, një ditë para 7-vjetorit të vrasjes së katër protestuesve para Kryeministrisë. Gjatë një aktiviteti me Forcat Speciale, FNSH-në dhe RENEA-n në kuadër të miratimit të ligjit për sigurimin shëndetësor, Tahiri tha se krimi shtetëror i 21 janarit 2011 ka mbetur pa ndëshkuar.
Fjala e Tahirit
Ka shumë për të bërë, drejtësia për 21 janarin nuk është vendosur në vend. Është një nga çështjet më themelore ku dallohen shumë qartë dy gjëra. E para krimi shtetëror që ka mbetur i pandëshkuar, e dyta nevoja për të reformuar sistemin e drejtësisë duke filluar me ata gjyqtarë që kanë sanksionuar një krim të dytë lidhur me ata që u vranë në 21 janar. Qeveria mori një vendim për dëmshpërblimin e të gjitha vendimeve gjyqësore. Ka qenë një vendim në pritje deri në përfundim të të gjitha procedurave gjyqësore për secilin prej familjeve. I fundit mbaroi më 12 janar dhe kjo është arsye që në mbledhjen më të parë, morëm vendim për dëmshpërblimin e plotë për të gjitha vendimet gjyqësore Kjo nuk bën drejtësi. Kjo lehtëson dhimbjen e familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre të vrarë nga shteti më 21 janar. Ndërkohë, ne kemi marrë masa që kjo të mos përsëritet më. Kemi miratuar një ligj për përdorimin e armëve ku sanksionohet se kur ndodh që shteti të përdor armët.
Sot ata që vranë më 21 janar nuk janë dënuar. Ata që fshinë kamerat më 21 janar, nuk janë dënuar. Ata që dhanë urdhër për të vrarë nuk janë dënuar. Kemi pasur edhe deklarata publike nga ish-kryeministri, i cili ka marrë përsipër urdhër-dhënien për vrasjet më 21 janar. Madje ka kërcënuar se po të vazhdonte akoma më shumë, do vriste. Pra, ajo që është e rëndësishme, është që ne të kuptojmë bashkërisht se kemi një borxh të trashëguar dhe të pa shlyer në lidhje me ata që u vranë nga shteti më 21 janar.
Kemi një borxh të dyfishtë për të vënë para përgjegjësisë penale dhe për të marrë dënimin e merituar ata që dhanë urdhër dhe ekzekutuan urdhrin për të vrarë dhe nga ana tjetër për të nxjerrë para përgjegjësisë gjyqtarët që kryen një krim të dytë me urdhër të po atyre që dhanë urdhër për të ekzekutuar duke mos dënuar ekzekutuesit më 21 janar. Nuk është habi për mua që pikërisht ata që flasin kundër reformës në drejtësi, ata që prononcohen kundër Vettingut, në demek në emër të shoqatave të gjyqtarëve, janë ata që kanë dhënë këto vendime. Kjo është e papranueshme për ne, por është një motiv më shumë për të shtyrë reformën në drejtësi. Ne jemi angazhuar që drejtësia për 21 janarin të bëhet.



