Vendimi i qeverisë së Albin Kurtit për taksën mbi mallrat serbe dhe ato të Bonje-Hercegovinës është pritur me qëndrime të ndryshme nga partnerët.
BE e ka mirëpritur njoftimin e kryeministrit Kurti për heqjen e pjesshme të taksës.
Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) e konsideron këtë njoftim si hapin e parë drejt dialogut të lehtësuar nga BE.
"Ky hap mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të ofrojë një hapje për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian", thuhet në deklaratën e EEAS.
Në deklaratë thuhet më tej se deri tëni është humbur shumë kohë dhe besimi duhet të rikthehet urgjentisht. "Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një mjedis që është i favorshëm që dialogu të rifillojë, në dobi të të dy. Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, është i gatshëm të luajë rolin e tij si lehtësues i dialogut në emër të BE", përfundon deklarata.
Por ndërkohë, nuk kanë të njëjtin qëndrim SHBA-të, të cilat kanë rolin e tyre në dialogun Prishtinë-Beograd. I dërguari special i presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell, e cilësoi dje gabim serioz vendimin e qeverisë së Albin Kurtit për të mos hequr atksën tërësisht dhe menjëherë.



