
Vetëm pak ditë pasi ekspertët paralajmëruan rritje të çmimit të karburanteve, shenjat e para të shtrenjtimit kanë nisur të shfaqen në tregun vendas.
Gazetarja Sabina Nika, për “MCN Live”, ka monitoruar disa pika të shitjes me pakicë të karburanteve në Tiranë, ku është vërejtur rritje e çmimit të naftës deri në rreth 7 lekë për litër.
Duke e krahasuar me çmimet e dy ditëve më parë, rezulton se pavarësisht reagimeve nga institucionet, çmimi i naftës ka arritur nga 182 deri në 190 lekë për litër, duke shënuar një rritje mesatare prej rreth 7 lekësh në shumë nga pikat e njohura të tregut.
Nga monitorimi në terren rezulton se:
Eida: nga 179 lekë në 185 lekë për litër
Kastrati: nga 175 lekë në 182 lekë për litër
Shell: nga 185 lekë në 190 lekë për litër
Esp Oil: nga 175 lekë në 185 lekë për litër
Të mërkurën, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se po e monitoronte situatën për të shmangur çdo koordinim të mundshëm të çmimeve në treg. Megjithatë, edhe pse sot është e premte, rritja e çmimeve në disa pika karburanti tashmë është evidentuar.



