
Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha pas takimit me Sekretarin e OSBE-së, Thomas Greminger, se opozita është gatshme për të bashkëpunuar për Reformën Zgjedhore, por që ky dialog duhet të ndodhë jashtë parlamentit.
Kështu tha kreu i PD pas këtij takimi, dhe në një komunikim me media, theksoi edhe një herë që zgjedhjet parlamentare duhet të jenë të parakohshme dhe në të njëjtën ditë me ato vendore, teksa ka nënvizuar se pala tjetër ka dëshmuar mungesë vullneti politik për të miratuar reformën zgjedhore.
“Vullnet politik për të miratuar këtë reformë e më e rëndësishmja për ta zbatuar, ndaj opozita aleatët kanë vënë në dispozicion të kësaj reforme gjithë ekspertizën tonë që është më e mira në vend. Duhet vullnet politik që deri më sot mungon nga pala tjetet që është pala e kapur në shkatërrimin e 3 palë zgjedhjeve.
Për këtë fola edhe me sekretarin e përgjithshem të OSBE për ndihmën që OSBE mund të japë në këtë drejtim në vecanti në 3 fusha: rolin për ti kujtuar vendeve anëtarë për kushtet që duhet të përmbushin për demokracine dhe shtet ligjor, ofrimin e ekspertëve të OSBE, rolin që OSBE mund të luajë për të ndihmaur në dialogun politik kaq shumë të nevojshëm e të kërkuar nga BE.
Rruga për opozitën është e qartë e njëjta rrugë që kërkohet edhe nga kushtet e Bundestagut.
Miratimi i reformës dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në të njëjtën ditë me ato vendore”, tha Basha, teksa nenvizoi që dialogu me mazhorancën ndërmjetësuar nga ndërkombetarët, do të bëhet vetëm jashtë Parlamentit: “Dialogu do jetë jashtëparlamentar sepse brenda atij Parlamenti do ishte monolog. Parlamenti eshte ilegjitim”.
Ndërsa për draftin e maxhorancës të dalë dje nga tryeza e reformës zgjedhore, se 6 muaj para zgjedhjeve qeveria të japë dorëheqjen dhe vendi të qeveriset me qeveri teknike, Basha tha se ky ka qenë një propozim i opozitës i bërë kohë më parë, duke dhënë dhe mesazhe për një ulje në dialog.
“Të botohet, ta diskutojmë dhe një mendim i tillë mund të diskutohet .Por është një propozim i yni, deri sa vendi të bëhet anëtar i BE të kemi një dispozitë të tillë dhe të kemi një proces të pakontestueshëm dhe të kemi një zgjedhje të paktën me standardin e Kosovës”, u shpreh Basha.



