
Në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur mbledhja e prokurorëve, ku do të zgjidhen 6 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Rezultati i votimit pritet të shpallet jo më larg se 24 orë nga mbyllja e tij. Si votues marrin pjesë të gjithë magjistratët që janë prokurorë, të gjithë magjistratët që kanë funksione të tjera shtetërore, si dhe të gjithë magjistratët që janë me leje, por që nuk kanë dalë në pension.
Prokurorë pjesëmarrës në votim janë 283 nga 305 që konfirmuan pjesëmarrjen. Kandidatët janë:
1. Anila Leka nga Prokuroria e Përgjithshme
2- Kostaq Beluri nga Prokuroria e Përgjithshme
3- Arben Dollapaj - Gjykata e Apelit Tiranë
4 - Bujar Sheshi - Gjykata e Apelit Shkodër
5 - Antoneta Sevdari nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë
6- Arta Marku - Prokurore e Përkohshme e Përgjithshme
7- Besnik Cani - prokuror në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan
8- Besnik Muçi - prokuror në Gjykatën e Shkallës së Parë te Krimet e Rënda Tiranë
9- Dritan Prençi - Prokuror në Gjykatën e Shkallës së Parë Kukës
10- Gentian Osmani - prokuror në Gjykatën e Shkallës së Pare te Krimet e Rënda Tiranë
11- Vate Staka – prokuror, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër.
Të gjithë bashkohen në një pikë në platformat e tyre: luftë kundër korrupsionit dhe të paanshëm në procesin e drejtësisë.
Në fjalën e saj, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se me krijimin e KLP-së, “ne do të bëjmë një luftë më të fortë dhe pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Ndërsa ambasadorja e SHBA-ve, Leyla Moses-Ones u shpreh se “ngritja e KLP-së do të sigurojë, zgjedhje të lira dhe demokratike, me shumë drejtësi dhe do të luftojë korrupsionin. Sot është dita juaj për të votuar drejt, është momenti për t’u dhënë shqiptarëve atë që meritojnë. Vendimet dhe veprimet tuaja janë vendimtare në rrugën tuaj drejt antarësimit të Shqipërisë në Bashkimit Europian. SHBA është pranë jush, nuk jeni vetëm, dhe do t’ju ndihmojmë në reformat tuaja. Por gjithashtu, SHBA i vlerëson dhe i merr shumë seriozisht zgjedhjet e lira”.
Për ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, “ngritja e këtij sistemi ështe një hap pozitiv për vendin dhe do të jetë një nga institucionet thelbësore që do të ndihmojë në ngritjen e SPAK dhe BKH. KLP fuqizon luftën kundër krimit dhe ka rol thelbësor në të ardhmen e vendit në rrugën e anëtarësimit. BE dhe shtetet anëtare ju mbështesin në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë”.



