
Pavarësisht se inceneratori i Fierit mbetet ende inaktiv, ndërkohë që zona po helmohet nga djegia e mbetjeve, kompania koncesionare merr rregullisht pagesat nga buxheti i shtetit. Në studion e lajmeve, gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, tha se kompania merr 520-530 mijë euro çdo muaj nga paratë e taksapaguesve. Kjo përbën shkelje të parimit të koncesionit.
Paratë janë pjesë e kontratës koncesionare që parashikonte ndërtimin e inceneratorit, lanfillit dhe impiantit të trajtimit të ujërave dhe shteti ta shlyente me këste. Nëse shikon pagesat nga thesari i shtetit, kompania merr 520-530 mijë euro nga thesari i shtetit. Ky është një koncesion i çuditshëm. Tre koncesionet e inceneratorëve janë të çuditshëm.
Në rastin e inceneratorëve, parimi i koncesionit është thyer. Herë thuhet ka mbaruar e herë jo. Vlera është dhënë e gjitha. Ku është ndryshimi nëse shteti do ta kishte ndërtuar vetë? Ndoshta do t’i kishte dalë më lirë. Ajo që ne kemi sot është një situatë e papranueshme. Qytetarët kanë paguar dhe shërbimi nuk është gati. Nuk ka shkuar asnjë kg mbetje të trajtohet.
Lidhur me situatën e krijuar në Fier, ku prej ditësh mbetjet digjen në mënyrë të pakontrolluar, Tomorri tha se duhet të mbajë përgjegjësi.
Mbetjet po digjen dhe nuk dihet kush po i djeg. Sot një nga përfaqësuesit e bashkisë tha se inceneratorin mund ta kemi gati në fund të gushtit. Është një tallje publike. Të djegësh mbetjet dhe të kërcënosh jetën e qytetarëve duhet të ketë një përgjegjës. Askush nuk lëviz. Shtrohet pyetja: për çfarë i kemi paguar 28 milionë euro nga taksat tona?
Tomorri tha se nuk ka transparencë në lidhje me afatet e nisjes së punës.
Kjo është një kontratë e amenduar dy herë. Iu ndryshua vendi i ndërtimit. Pati protesta dhe vendi u spostua. Në 2020 u amendua për së dyti. Këtë herë për të ndryshuar afatin e përfundimit. Afati i ri u bë 31 marsi 2021. Nuk u hap as në 31 mars. Tani thuhet jo në dhjetor, jo në fund të gushtit. Kjo është tallje.
Sa i takon kontratave koncesionare, Tomorri tha se të gjitha janë hartuar në mënyrë të tillë që kanë rezultuar penalizuese për taksapaguesit dhe në asnjë rast për kompanitë.
Janë dhënë me qindra kontrata koncesionare. Penalizohen qytetarët. I gjithë risku u hidhet qytetarëve. Inceneratorët kanë fitime 30-40 të xhiros. Inceneratori i Tiranës pati shumë fitime vjet kur të gjitha bizneset u mbyllën për shkak të pandemisë. Këto a duhet t’u japin qytëtarëve një shërbim dinjitoz? Në vende të tilla, në raste krizash kanë rënë edhe qeveri. Kujtojmë mbetjet në Napoli.



