Kandidati republikan Donald Trump do të përballet me kundërshtaren demokrate Kamala Harris në një debat televiziv për herë të parë. Nga Pensilvania, për 1 orë e gjysmë, kandidatët do të debatojnë për tema të ndryshme nga ekonomia, siguria dhe gjeopolitika në rrjetin televiziv amerikan “ABC”.
Debati vjen vetëm pak javë përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit. Trump zhvillon debatin e tij të shtatë presidencial, kurse Harris bën debutimin e saj të parë. Këshilltarët e Harris-it, sipas mediave amerikane, kanë udhëzuar që ajo të përdorë empatinë dhe akuzat e forta nga profili i prokurores për të fituar debatin. Ndërkohë, nga kampi i republikanëve, Trump-i ka avantazh retorikën e fortë akuzatore dhe paparashikueshmërinë që e ka shfaqur edhe me kundërshtarë të tjerë.
Analistët janë të ndarë nëse debati do ketë impakt te votuesit. Sondazhet e fundit i paraqesin në kuota thuajse të barabarta Trump dhe Harris.
“Ekziston një perceptim se debatet ndikojnë te votuesit që ata të kuptojnë më mirë qëndrimet e kandidatëve. Por ne kemi dalë në përfundimin se debatet nuk kanë ndonjë efekt në asnjë grup votuesish”, tha Vincent Pons, profesor pranë shkollës së biznesit në Harvard.
Ndërkohë, ka një grup tjetër studiuesish që thonë se debatet kanë ndikim te votuesit e pavendosur. Edhe pse Pons thotë se statistikat tregojnë se shifra është shumë e vogël, një pjesë tjetër merr në konsideratë rastin e kandidatit Barak Obama në 2008-ën ose John F Kennedy në 1960-ën se si debati ndërton përfytyrim të ri të kandidatit te votuesit e pavendosur.



