Gazetari Mariglen Kume duke folur për skandalin e “Duranës” në Mcn Live tha se ajo ka funksionuar si një parajsë fiskale. Kume tha se ka një lidhje mes AKSHI-t, Duranës dhe Bashkisë së Tiranës, sa i takon personave që veprojnë. Po ashtu ai vë në dukje se administratori te “Durana” Gjergji Taho ka qenë në konflikt interesi.
“Qarkullojnë të njëjtët persona që lidhen me grupin e strukturuar të AKSHI-t. Te Durana kush është administratori? Kemi administrator Gjergji Taho. Ai përveç se gjen kohën për të administruar 6 biznese private sipas asaj që rezulton në regjistrin e qkb, është kryetar i komisionit të licencave dhe pronar me 80 për qind të aksioneve i Paysera Albania. Si mund të jesh kryetar i komisionit të licensave të basteve, në një kohë kur je pronar Paysera Albania. Paysera bën transaksione financiare. Ligji i ri për bastet parashikon që çdo transaksion e kompanive të reja që licensohen për bastet do ta bëjnë me agjentin financiar. Kemi konflikt interesi në radhë të parë. Do miratosh ti një licencë me një kompanie bastesh nëse nuk lidh kontratë me ty për të bërë ato transferimet si agjent financiar?! Nga këtu shkon edhe te Durana, që është një lloj fluske, një parajsë fiskale, ku janë të njëjtat kompani dhe emra, që dalin te dosja kriminale e AKSHI-t, Agasi, Beqiri, punonjësja e Beqirit që ka bërë kompani më vete. Lidhet Bashkia e Tiranës, AKSHI, Durana. Ku ka para dhe paligjshmëri është i njëjti grup që qarkullon”.
Kume tha se operacioni për Call Center-in në kullën në qendër të Tiranës u dekonspirua nga policia.
“Pse s’u kapën pronarët e Call Center-ave te kulla luksoze? U dekonspiruan nga policia 100 për qind. Ka një thashethem kriminal brenda policisë, policët në nivele drejtuese s’duan të vijnë në Tiranë, sepse kontrollohen të gjithë nga një person që doli te dosja e AKSHI-t, nëndrejtori i Policisë së Tiranës Ismailai”.



