
Për të gjashtën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke e thelluar më tej krizën politike në vend.

Sipas Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ky zhvillim ishte i pritshëm për shkak të mungesës së konsensusit politik.
Në një intervistë për “MCN Live”, Jakaj thekson se presidentja Vjosa Osmani duhet të marrë një rol më aktiv për të zgjidhur këtë ngërç, duke thirrur një takim me krerët e partive parlamentare dhe më pas duke dërguar çështjen për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Ishte e pritshme që do të kishte dështim në mungesë të një koalicioni me ndonjë parti opozitare. PDK, LDK dhe AAK kanë qenë kundër, ndërsa votat e partisë Nisma dhe deputetes Duda Balje nuk ishin të mjaftueshme për të kaluar kandidaturën e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.
Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit është 30 ditë nga data e certifikimit të rezultatit, që përkon me 27 prillin, por Kushtetuta nuk specifikon qartë nëse konstituimi duhet të përfundojë brenda atij afati, apo thjesht të fillojë procesi.
Në mungesë të kësaj qartësie, krijohet hapësirë për interpretim të lirë nga partitë. Vetëvendosje, si partia më e madhe, po e përdor këtë për të propozuar vetëm një emër për kryetarin e Kuvendit.
Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, shton se në një situatë të tillë, ku partia fituese nuk i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryeparlamentarin, është e nevojshme një aktgjykim i ri nga Gjykata Kushtetuese, që do të sqaronte si duhet të veprohet më tej.
Kjo është një situatë e re, sepse më parë debati ishte vetëm se kujt i takon posti i kryetarit të Kuvendit. Tani kemi një rast ku nuk ka vota për asnjë kandidat. Prandaj duhet një interpretim kushtetues për këtë normë.
Me Kushtetutë dhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës thuhet se deri brenda 30 ditëve nga data e certifikimit, mbahet data e konsituimit por nuk thuhet se a duhet te kryhet deri brenda këtij afati prej këtyre ditvë.
Në mungesë të kësaj qartësie, partitë politike , shumica parlamentarë qe është LVV duket se abuzon me te drejtën e saj që ta dërgoj vetëm një emër për kryera të parlamentit.
Në letrën që është dërguar nga presidentja Osmani është thënë që ajo mund ti pret kryetarët e subjekteve politike për të dal nga ngërçi politikë.
Nga ky takim ndoshta do duhej të rrjedhte kërkesa drejtuar presidentes në mënyrë që të aktivizohej presidentja dhe që ajo më pas të aktivizohet Gjykatën Kushtetuese për një interpretim të ri për situatën e tanishme sepse kjo situatë është e re në kuptimin që nuk ka votë, se me herët ka qenë se kujt i takon kryetari i parlamentit.
Një situatë e tillë do duhej të adresohej përmes ndonjë aktgjykimi të Gjykata Kushtetuese ku e interpreton normën kushtetuese.
Për z. Jakaj, roli i presidentes Osmani në zgjidhjen e këtij ngërçi nënkupton ndërhyrje ligjore jo politike.
Ai parashikon se nga ky takim mund të buronte edhe nisma për kërkimin e interpretimit kushtetues, si një formë ligjore, jo politike, për të kapërcyer krizën.
Presidentja nuk ka ndonjë rol proaktiv por meqenëse ne letrën e saj e ka lënë një derë çelur që partitë ti drejtohen për zgjidhjen e ngërçit, atëherë ligjërisht jo politikisht, ne pajtim me Kushtetutën të nis një procedurë e re e vlerësimit ose interpretimit të normës që të zgjidhej.
Ajo mund të ndërmarrë një hap ligjor përmes Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me Kushtetutën.



