
Heqja e kufizimeve që imponoi Covid-19 dhe nisja e konfliktit në Ukrainë kanë ndikuar në rritjen e numrit të kërkesave për azil në vendet e BE-së, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas statistikave të publikuara nga Eurostat, për prillin 2022, janë regjistruar 54 145 aplikime për azil në shtetet anëtare të BE-së. Kjo shifër është 66% më shumë krahasuar me prillin 2021 (32 570) dhe 28% më pak krahasuar me marsin 2022 (74 950).
Gjermania mbetet vendi më i kërkuar për azilkërkuesit, me 23% të aplikimeve, e ndjekur nga Franca me 18%, Spanja me 14%, Italia me 9%, Austria me 9% dhe Holanda me 4%. Të gjashta vendet të marra së bashku përbëjnë tre të katërtat e aplikimeve në total (76%).
Vendin e parë për aplikimet e mbajnë afganët me 7 255 të tilla, të ndjekur nga sirianët (6 485 aplikime), venezuelianët (3 655 aplikime), kolumbianët (2 705 aplikime) dhe turqit (2 600 aplikime).



