Konfirmohet viktima e parë nga zjarret në Shqipëri.
Policia ka njoftuar se një 80-vjeçar ka humbur jetën në Gramsh si pasojë e asfiksisë nga tymi i zjarrit në fshatin Kullollas.
Sipas informacionit të policisë, viktima ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, i cili më pas ka shpërthyer dhe u përhap me shpejtësi në të gjithë fshatrat e tjerë të zonës, duke shkaktuar dëme të mëdha.
Për shkak të tymit të dendur, 80-vjeçari ka humbur jetën nga asfiksia, ndërsa përpjekjet për t’i ardhur në ndihmë kanë qenë të pamjaftueshme.
Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.
Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit.



