Një turist holandez dhe dy fëmijët e tij të mitur u shpëtuan nga shërbimet e Policisë së Shtetit pasi mbetën të bllokuar në një zonë të thepisur të Kanioneve të Gjipesë, në Dhërmi.
Operacioni i kërkim-shpëtimit u zhvillua nga Stacioni i Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Repartin Special "Delta Forcë". Pas marrjes së njoftimit, efektivët ndërhynë menjëherë dhe, pas rreth katër orësh kërkime në terren të vështirë dhe në errësirë, arritën t'i lokalizonin dhe t'i evakuonin pa lëndime.
Pas shpëtimit, turisti dhe dy fëmijët morën ndihmën e parë mjekësore dhe rezultuan në gjendje të mirë shëndetësore. Turisti holandez falënderoi publikisht efektivët e Policisë, duke i cilësuar ata si "heronj" për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë operacionit.



