Ambasada e SHBA-ve dhe Delegacioni i BE në Shqipëri kanë reaguar pas raportimeve se dy prokurore janë kërcënuar nga grupi i Leart Haxhiut. SHBA dhe BE shprehen të shqetësuara për kërcënimet e bëra ndaj autoriteteve gjyqësore në vend. Në deklaratë theksohet se “hetuesit, prokurorët e gjyqtarëve duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcënime apo kanosje”.
Në reagimin e ambasadës së SHBA-ve thuhet:
Një sistem drejtësie që funksionon pa frikë dhe kërcënime është kërkesë legjitime e popullit shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për kërcënimet për dhunë ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratike. Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcenime apo kanosje. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre.
Në reagimin e Delegacioni të BE thuhet:
Delegacioni i BE-së në Shqipëri është thellësisht i shqetësuar për kërcënimet e bëra ndaj autoriteteve gjyqësore që punojnë çdo ditë në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare për të hetuar me shpejtësi këto kërcënime dhe të mbajnë përgjegjës autorët. BE mbështet plotësisht të gjithë zyrtarët që punojnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri dhe dënon çdo formë të sjelljes kërcënuese ndaj tyre dhe vazhdon të mbështesë vendin në përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit.



