Jemi në valën e përhapjes së variantit të ri Omicron jo vetëm në të gjithë Evropën dhe botën por edhe në Shqipëri. Në një lidhje skype në studion e lajmeve në ‘MCN Live’, mjeku Erjon Dasho, njëherësh drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Frankfurt deklaroi se aktualisht vendi ynë ka regjistruar rekord infektimesh dhe se nuk beson se do të ketë rritje shifrash nga infektimet.
Ndër të tjera ai sqaroi se prej muajsh tashmë Shqipëria po jeton në normalitet dhe se ajo që po ndodh tek ne është përhapja e variantit Omicrion në një popullsi të imunizuar.
Shqipëria do të mbetet në këto shifra dhe nuk besoj se do rriten infektimet. Shqipëria ka regjistruar rekord infektimesh por numri i humbjeve të jetës dhe të shtruarve është i ulët. Shqipëria ka muaj që po jeton në normalitet. Në Shqipëri nuk janë marrë masa prej muajsh tashmë dhe për mendimin tim po jetohet një jetë normale si para pandemisë edhe pse për mua është e gabuar sepse nuk testohet aq sa duhet për të evidentuar shkallën e vërtetë të përhapjes së virusit, nuk aplikohet pasaporta e gjelbër etj etj. Ajo që po ndodh në Shqipëri është përhapja e Omicron në një popullsi të imunizuar dhe kjo përhapje përputhet me këtë stad të pandemisë.
Popullata shqiptare ka imunitet të fituar në mënyrë natyrale sepse një nga shqiptarët e ka kaluar një variant të covid. Nëse në BE patëm disa rritje rastesh të pakrahasueshme me vitet e tjera Shqipëria dyfishoi rritjen e rasteve të krahasuara me valët e tjera. Shifrat që kemi parë të raportuara në Francë, Gjermani, Britani janë të besueshme sepse pasqyrojnë gjendjen reale, në Shqipëri ne kapim vetëm një përqindje të vogël për shkak të mungesës së testeve. Ajo që shohim në Shqipëri është se spitalet nuk janë të rënduara si vitin e kaluar, e dyta nëse vjet shqiptarët kishin kthyer shtëpitë në spitale këtë situatë nuk e kemi tani pra jemi në një situatë shumë më të qetë se në vitin e kaluar në njëfarë mënyre jam i kënaqur.
Shqipëria ka shkallë imunizimi në 70% në mënyrë natyrale. Shqipëria ka pasur ekspozim masiv dimrin e kaluar duke u imunizuar në mënyra natyrale dhe tani prej 3 javësh shifrat janë sërish standarde. Edhe dy tre javë do të kemi këtë situatë dhe pastaj do kemi ulje të transmetimit të Omicron, por nëse ky variant është stacioni i fundit ka një shpresë por nuk duhet harruar se epidemia përhapet në popullata të pa imunizuara ku shfaqen variante të reja.
I pyetur nëse duhet ti besojmë apo jo vaksinave, Dasho ka këmbëngulur se ajo është e vetmja masë që mbron shëndetin dhe jetën. Ai tha se popullata shqiptare nuk rrezikon më në nivel popullate, por personat e vaksinuar mbeten ende të rrezikuar.
Vaksina mbron dhe është e vetmja masë që një qytetarë mbron jetën dhe shëndetin e vet. Nëse jetojmë në një shoqëri si Gjermania, ku përveç vaksinës ka dhe masa të tjera që i aplikon, në Shqipëri kjo nuk ndodh prandaj mbrojtja e vetme është vaksinimi. Vaksina është e sigurtë, mbron shëndetin dhe jetën. Në Shqipëri shohim humbje jete te personave të pavaksinuar dhe nëse nuk do kishin dëgjuar propagandat një pjesë e madhe e tyre do të ishin sot gjallë. Vaksina mbron dhe shmang komplikacionet dhe humbjen e jetës. Nga shtatori dhe sot janë qindra persona që kanë humbur jetën zyrtarisht jetën që sot do të ishin gjallë nëse do ishin vaksinuar. Nga prilli i kaluar popullata shqiptare nuk rrezikon më në nivel popullate por individi i paimunizuar është gjithmonë i rrezikuar dhe zgjidhja është vaksinimi. Vaksina mbron dhe ndaj Omicron i cili është shumë më pak i rrezikshëm se variantet e tjera dhe kur bëhet dhe vaksina ky person mbron shëndetin dhe jetën e vetë. Nuk ka dyshim që doza përforcuese mbron ndaj Omicron.
Ndërsa lidhur me përhapjen e Omicron edhe te fëmijët, Dashi tha se në Shqipëri kjo ndodh edhe për shkak se fëmijët nuk janë vaksinuar. Sipas tij aplikimi i vaksinës duhet të ishte bërë te të gjithë fëmijët mbi moshën 12 vjeç dhe vetëm tek grupmosha e rrezikuar edhe nga sëmundje të tjera.
Omicron po përhapet dhe te femijët me forma dhe të rënda por fatmirësisht pa humbje jete dhe shpresojmë që të vazhdohet kështu. Vaksinimi është e domosdoshme dhe duhet të ishte një aplikim prej kohësh në Shqipëri për fë,ijët mbi moshën 12 vjeç. Kam mbështetur gjithmonë vaksinimin dhe rekomandoj çdo qytetar që nëse nuk është vaksinuar të nxitojë për ta bërë këtë, nëse ka kaluar 6 muaj nga vaksinimi i fundit të bëj përforcuesin dhe nëse ka 9 muaj që ka kaluar virusin të vaksinohet sërish dhe vaksinimi mbi moshën 12 vjeç duhet të kryhet për të gjithë fëmijët dhe jo vetëm për ata që kanë sëmundje të tjera. Nëse do ndiqet rekomandimi për vaksinimin Shqipëria do të shmangë impaktin të pakët në jetë të covidit.



