Avokati Besard Logu, për paraqitjen në SPAK të kreut të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, deklaron se në dyert e prokurorisë gjendesh si person që ke dijeni për rrethanat e ngjarjes, si person nën hetim dhe si person në akuzë.
Nga studio e MCN Live, ai tha se në të gjitha rrethanat kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit është në kushtet e shpërdorimit të detyrës.
Sipas tij, Agolli është një zyrtar klasik i shfrytëzimit në maksimum i postit që i jepet.
Është shkollë më vete menaxhimi i tenderave dhe sidomos i parave publike. Sheh tendera me përmbajtje të çuditshme.
Zoti Agolli ka një CV që nuk është thelluar shumë në hetimin e veprimtarisë së tij.
Ai akuzohet edhe për dhënien e tenderave për oligarkun rus, Oleg Deripaska. Oligarku rus rezulton të ketë marrë tendera po nga kjo agjenci.
Lidhur me tipologjinë e këtyre zyrtarëve kemi dhe zotin Benet Beci, ish kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili është gjithashtu nën hetim.
Kemi dhe një drejtori tjetër atë të rrugëve të ARRSH. SPAK kam përshtypjen i duhet të hetojë dhe në aspektin psiko-emocional, të krijojë identikitin se ç’është ky zyrtar nën hetim që vjedh.
Një individ shkel ligjin për përfitime të paligjshme, për t’i vënë në funksion të jetës së tij.
Skanimi i pasurisë të çon në mënyrë direkte te shpërdorimi i detyrës. ILDKPKI është një institucion që nuk ka funksionuar dhe duhet të shkrihet.
Gjyqtarë dhe prokurorë që janë subjekt i vetingut, dolën nga vetingu pikërisht prej mos justifikimit të pasurisë.
Në të gjitha proceset penale që ka nisur SPAK, zyrtarët nën hetim akuzohen kryesisht për korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie. Thembra e Akilit është korrupsioni.
Duke qenë se këto modele të tilla e kanë shoqëruar këtë vend për 30 vite, këtu merr rëndësi pesha që kanë institucionet e reja të drejtësisë që do të duhet të funksionojnë.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit është minierë ari për fondet që ka.
Tre janë mënyrat kur prokuroria nis hetimet, hetimet nisin kryesisht kur faktet bëhen publike nga individë apo media, në kushtet e flagrancës që referohet nga policia dhe kur referohet nga individë apo institucione në kushtet e një kallëzimi formal.
Në SPAK ka 20 prokurorë, ka çështje pafund dhe prokurorët duhet të përfaqësojnë edhe çështjet në gjykim dhe mbi të gjitha është dhe dosja “Metamorfoza” që i është mbivendosur procesit dhe SPAK e ka të pamundur që të nisë hetimet kryesisht.
Në këto kushte mediat dhe individët duhet të rrisin përgjegjësinë qytetare dhe t’i referojnë këto kallëzime në prokurori.
Dritan Agolli, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit është paraqitur tre ditë më parë në SPAK ku është marrë në pyetje për më shumë se dy orë. Prej vitit 2022 për Agollin ka një kallëzim nga Partia Demokratike për një tender prej 500 mijë eurosh të cilin akuzohet se ia ka dhënë kuzhinierit të restorantit të djalit të tij.



