Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS) i kanë dorëzuar të premten Këshillit të BE-së një propozim për ta ndryshuar dhe plotësuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në bllok. Politologu Ilir Kalemaj e sheh këtë si një zhvillim pozitiv, pasi ndryshimet në kapitullin 35 parashikojnë njohjen eventuale të Kosovës ngA Serbia, si kusht që Beogradi t’i bashkëngjitet BE-së. Kalemaj thotë se propozimi ka “vlerë detyruese”, si dhe përmendet në mënyrë eksplicite që Serbia s’duhet ta bllokojë Kosovën në organizata ndërkombëtare, s’duhet të bëhet pengesë për ushtrimin e plotë të sovranitetin e Kosovës, dhe duhet të njohë de facto Kosovën duke njohur pasaportat e simbolet.
Propozimi i Komisionit Europian, dhe e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm, që natyrisht pret ratifikim nga Këshilli Europian, është një propozim shumë normal, i cili nëpërmjet kapitullit 35, që e kanë të gjitha shtetet, në rastin e Kosovë-Serbi, ka një kryeçështje, që është pikërisht zgjidhja definitive e statusit të Kosovës dhe njohjes së tij eventualisht nga Serbia, para se Serbia dhe Kosova t’i bashkëngjiten BE-së. Kjo ka qenë edhe për shtete të tjera që kanë pasur probleme kufitare si Sllovenia me Kroacinë, etj. Nuk shoh asnjë problematikë, përkundrazi shoh një zhvillim pozitiv në lidhje me këtë propozim.
Natyrisht që ka vlerë detyruese, ajo e ka të shkruar e zeza mbi të bardhë, që pa njohjen përfundimtare të Kosovës nga Serbia, që duhet të jetë eventualisht, ata s’e kërkojnë që të jetë nesër, të marrë të paktën edhe një dekadë kohë, kjo është e parashikuar edhe në marrëveshjet që kanë nënshkruar, pavarësisht se nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja nga Serbia, por përmendet në mënyrë eksplicite që Serbia s’duhet ta bllokojë Kosovën në organizata ndërkombëtare, Serbia s’duhet të bëhet pengesë për ushtrimin e plotë të sovranitetin e Kosovës, dhe Serbia duhet të njohë de facto Kosovën duke njohur pasaportat, simbolet e çdo gjë tjetër, ajo që njihet si Marrëveshje e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Kjo ka ardhur pas deklaratës së Brnabiç, që para disa ditësh kishte hedhur idenë jo të gjitha këto që kanë rënë dakord ishin obligative. Kjo që ka ndodhur nga Brukseli është kundër reagim ndaj kësaj deklarate ,për t’i thënë që të gjitha janë detyrim për t’u zbatuar”.
Në lidhje me dyshen Borrell-Lajçak, Kalemaj vë në dukje se pavarësisht se ata kanë shfaqur njëanshmëri në të kaluarën, në rastin konkret nuk ka arsye që të jemi paranojak. Lidhur me vendimin e qeverisë Kurti për dinarin, Kalemaj thekson rëndësinë e konsultave me partnerët.
Në lidhje me çështjen konkrete s’shoh ndonjë njëanshmëri për Serbinë. Në rastin konkret mendoj që kemi të bëjmë me vendim normal që do çojë në zgjidhje të ngërçit. Dyshja Borrell-Lajçak kanë qenë të njëanshëm, në një pjesë të mirë të aktivitetit të tyre, në lidhje me disa nga veprimtaritë e kryera në funksionet e BE, por edhe kur kanë qenë shefa të diplomacisë në Spanjë dhe Kroaci, kanë qenë bllokues të njohjes së Kosovës, por sot ata janë zyrtarë të BE, në rastin konkret s’ka vend për të qenë paranojak, dhe unë shoh një zhvillim pozitiv për Kosovën në rastin konkret. Lexova intervistën e ambasadorit francez, dhe nuk ishte ultimative për dinarin. Ishte një deklaratë shumë korrekte, ajo që ai përmendte ishte që po ne e dimë shumë mirë Kushtetutën e Kosovës, dhe s’e vëmë në dyshim që Banka qendrore ka sovranitet të plotë, por është në dorën e qeverisë mënyra e implementimit. Është në dorën e qeverisë për afatet, si mund të implementohet kjo në mënyrë që mos i jepet Beogradit karta për të akuzuar Kosovën për bllokim të institucioneve apo spastrim etnik të serbëve të Kosovës. Mendoj që kjo është e drejtë, racionale, dhe qeveria Kurti s’ka që brenda 24 orëve pa paralajmërim, dhe pa konsultë me partnerët, të veprojë në mënyrë të tillë, që ndonjëherë ka më shumë dëm se sa zgjidh një situatë të caktuar. Ndoshta Kurti apo qeveria e Kosovës, mendojnë se duke ndërmarrë qëndrime radikale do jenë më të fortë në tavolinën e negocimit, për të marrë më shumë koncesione. Gjithsesi unë mendoj që konsultimi me partnerët është gjithmonë i domosdoshëm”.



