
Pak ditë më parë në një dalje nga kryeministria, numri dy i qeverisë Belinda Balluku shpalosi paketën e kursimit të energjisë. Ndër të tjera ajo tha:
Kemi vendosur të nisim nga vetja. Për të dhënë shembullin më të mirë.
Pak metra nga zyrat ku deklarohej plani i kursimit, në oborrin rreth kryeministrisë, në orën 11:00 të drekës “Xhadat” shohin që dritat, vazhdojnë të qëndrojnë ndezur.
Për kursimin e energjisë në institucionet publike, Balluku vendosi edhe një target.
Institucionet publike konsumojnë 5 % të konsumit total në vendin tonë. Për këtë arsye ,një ulje me 15 % e konsumit mujor është targeti që ne duam të arrijmë.
Por edhe Ministria e Kulturës duket se e ka jashtë kontrolli këtë pjesë. Dritat në oborrin e saj, në mes të ditës, qëndrojnë ndezur.
Për zgjidhjen e situatës së krijuar Balluku deklaroi se do të vij në ndihmë administratori i energjisë, një vullnetar nga stafi i institucionit që do të mbaj në vëmendje porosinë.
Në të gjitha institucionet shtetërore , ne do të kërkojmë emërimin, pra brenda stafi, gjetjen e një personi i cili ka sensitivitet dhe do ta marri këtë detyrë për ta kryer ashtu siç duhet, që do të quhet administrator i energjisë, që duhet të kujdeset për të arritur targetin që duhet të këtë çdo ndërmarrje, çdo institucion për të ulur konsumin energjetik me 15% të faturave aktuale.
“Xhadat” ka konstatuar se problemi i shpërdorimit të energjisë, haset shpesh edhe me ndriçimin rrugor. Një nga akset më problematikë, është ai i unazës së madhe , ku në segmente të ndryshme gjatë ditës, dritat qëndrojnë ndezur.



