Lënda narkotike e llojit kokainë e zbuluar në një anije me qymyr të ardhur nga Kolumbia, deri më tani rezulton rreth 50 kilogramë.
Korrespondentja e MCN Tv bën të ditur se lënda narkotike ishte fshehur në hambarin e anijes “Unistream”, me flamuj të Ishujve Karaibe.
Bëhet e ditur se lënda narkotike ishte e ndarë në 53 pako, e cila u zbulua në ngarkesën me 6500 ton qymyr, çka bëri që të pezullohet puna dhe të vihet në lëvizje Task Forca e pozicionuar në portin e Durrësit.
Gjatë marrjes në pyetje kapiteni rus i anijes ka mohuar të ketë pasur dijeni mbi praninë e kokainës në anije, ashtu sikundër dhe anëtarët e ekuipazhit.
Kanë qenë partnerët ndërkombëtarë ata që kanë sinjalizuar autoritetet shqiptare, duke bërë që të ushtrohet kontroll në anijen e cila sillte qymyr në portin e Durrësit.
Mësohet se anija kishte mbërritur në portin e Durrësit mëngjesin e djeshëm, më 16 maj.
Gjithsesi mbetet ende e paqartë nëse kokaina kishte si destinacion Durrësin, apo ishte tranzit për në ndonjë shtet tjetër.



