
Turqia hoqi dorë nga vetoja duke i hapur rrugë anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO. Por çfarë përfitoi Ankaraja në këmbim? CNN raporton se Turqisë i është plotësuar kërkesa për ekstradimin e 33 personave nga Finlanda dhe Suedia, të cilët Ankaraja i konsideron terroristë. Turqia nënshkroi një memorandum trepalësh me dy vendet, konfirmoi ministri turk i Drejtësisë Bekir Bozdağ.
“Ne do t'u kërkojmë atyre që të plotësojnë kërkesat e aplikacioneve tona pas këtij memorandumi mirëkuptimi. Ne kemi aplikuar tashmë për ekstradim. Dosjet e gjashtë terroristëve të PKK-së dhe gjashtë terroristëve të FETO-s në Finlandë dhe 10 terroristëve të FETO-s dhe 11 të PKK-së në Suedi”, tha Bozdag kur iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në Ankara të mërkurën.
“Ministria jonë do të shkruajë për kthimin e tyre dhe do t'i kujtojë përsëri... Edhe një herë, i kërkojmë që të përmbushin premtimet e tyre”, vijoi ai.
Bozdag tha se Turqia beson se është e rëndësishme të krijohet një bord monitorues me njësi të sigurisë, drejtësisë dhe inteligjencës për të monitoruar zbatimin e memorandumit.
“Nuk na duket e mjaftueshme të shkruajmë; ne do të mbikëqyrim edhe zbatimin e tij një nga një në praktikë”, tha ai.
Ministrat e Punëve të Jashtme të Turqisë, Finlandës dhe Suedisë nënshkruan një memorandum që trajtonte shqetësimet e Turqisë, duke përfshirë eksportet e armëve dhe luftën kundër terrorizmit, që Ankaraja të hiqte dorë nga kundërshtimet e saj për dy vendet neutral nordike.



