Prej ditësh tashmë po qarkullojnë lajme për shembjen e Teatrit të Kukullave dhe vendi ku ka qenë Parlamenti i parë shqiptar. Shembjen e Teatrit të Kukullave, deputetja e opozitës, Mesila Doda, e ka cilësuar si aktin e fundit të marrëzisë. “Ne kemi një tendencë të zhdukim memorien historike të këtij kombi”, tha Doda, teksa theksoi se Teatri i Kukullave është muze i parlamentarizmit shqiptar.
“Mora shkas nga një lajm në portale që fliste për tjetërsimin e godinës dhe në këtë moment alerti duhet të jetë i lartë. Ne kemi një tendencë të zhdukim memorien historike të këtij kombi. Cila ishte urgjenca e shembjes së teatrit. Ka ca akte vandale, ndaj të gjithë duhet të jemi të kujdeshëm. Teatri i Kukullave ka qenë godina e parë e parlamentit shqiptar dhe duhet të jetë një godinë e rëndësishme. Shembja e tij do të ishte akti i fundit i marrëzisë”, tha Doda.
Gjatë intervistës së saj Doda gjithashtu foli për komisionet parlamentare dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes fizike.
“Komisioni zgjedhor është shumë i rëndësishëm sepse do të dalin të gjitha problematikat e zgjedhjeve. Duke pasur një komision parlamentar do të hetohen fondet e shpërdoruara apo përdorimi i administratës publike. Arbitrazhi i Beketit po mbërrin në falimentimin e ekonomisë. Ndaj komisionet hetimore janë shumë të rëndësishme. Kam dëgjuar të thuhet që i kapi Rama pushtetet sepse ju ia lat, edhe nëse do ia kishim lënë nuk duhet të kapte. Demokracia nuk është sistem ku ti merr çfarë të mundesh. Grupi kombëtar për Demokraci dhe Integrim do të kërkojë që në komisione të hyjnë ata që kanë green pass, tampon apo janë të vaksinuar. Bojkotin po e bën maxhoranca. Opozita është gardiani moral për të bërë ligje, nuk funksionon me forcën e kartonit demokracia. Parlamenti ti rikthehet jetës normale dhe maxhoranca ti kthehet komisionet”, shtoi ajo.
Lidhur me situatën brenda PD, Doda nuk pranojë të komentojë, por tha se si themeluese e kësaj partie i ka thënë gjërat që ka pasur për të thënë që vite më parë.
“Unë nuk komentoj për një parti tjetër. Unë kam qenë themeluese e PD dhe i kam thënë të gjitha gjërat që kam pasur për ti thënë. E djathta në këtë moment nuk duhet parë si luftë mes personash, duhet të jetë rikthim idesh. Të gjitha partitë tradicionale tentojnë të marrin sa më shumë elektorat dhe po humbin identitetin. PD ka nevojë për rinovim idesh. E djathta po ndjen presionin e pushtetit. Nuk merrem me emra personal”, tha Doda.



