
Sot është dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Emri i saj është pllakosur në historinë e katolicizmit si një ndër shenjtët e Kishës Katolike, e cila në 19-vjetorin e ikjes së saj nga kjo botë, mori edhe emrin e lavdishëm, duke u njohur prej 5 shtatorit 2016, si Shën Tereza.
Titullin më të lartë të katolicizmit, ajo e mori kur në sheshin “Shën Pjetër” të Romës, Papa Françesku njohu dy mrekulli në shërimin e të sëmurëve. E gjitha, nëpërmjet lutjeve të saja.
“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”.
Këto do të ishin fjalët e Anjezës ndër vite shërbimesh ndaj të varfërve.
Nënë Tereza ose Shenjt Tereza e Kalkutës lindi në Shkup në vitin 26 gusht 1910. Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Ajo vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989.
Kreu i qeverisë ka publikuar një video me thëniet e çmuara të Nënë Terezës, përmes zërit të aktores së mirënjohur, Margarita Xhepa.
MIRËMËNGJES
dhe me këtë videokujtesë në Ditën e Shenjtërimit të gruas që u njehsua me dashurinë e Zotit, Nënë Terezës shqiptare, treguar me zërin margaritar të një zonje shqiptare të skenës, Margarita Xhepës, ju uroj një të diel të paqtë.
Shenjt Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore
Anjezë Gonxhe Bojaxhi, nuk është më pjesë e kësaj bote prej 24 vjetësh tashmë. Por, prej pesë vjetësh, ajo është shenjte e Vatikanit.
Prej tre vjetësh ndërkaq, në Shqipëri, shenjtërimi i saj festohet kombëtarisht, duke e kujtuar si një humaniste e nobeliste e rrallë ndër dekada.



