Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se nuk planifikon të shkarkojë zëvendësprokurorin e përgjithshëm amerikan, Rod Rosenstein.
Rosenstein është zyrtari i Departamentit amerikan të Drejtësisë i ngarkuar me hetimin federal të ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.
"Jo, nuk kam", tha Trump pasi u pyet nga gazetarët nëse ka plane për shkarkimin e zyrtarit numër 2 të Departamentit të Drejtësisë.
Ditë ma parë ka pasur spekulime se Trump mund ta shkarkojë Rosensteinin pas raporteve se ky i fundit ka vënë në pikëpyetje aftësitë e presidentit dhe ka dashur të regjistrojë biseda me të.
Rosenstein udhëtoi së bashku me Trump me "Air Force One" në Orlando të hënën, ku presidenti do të mbante një fjalim për shefat e policisë. Pas uljes, Rosenstein u pa i qeshur dhe u shfaq qet ndërsa ecte para shkallëve të përparme të avionit presidencial së bashku me shefin e shtabit të Trump, John Kelly.
Trump dhe Rosenstein u takuan për rreth 30 minuta gjatë fluturimit, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley.
Trump u tha gazetarëve se takimi ishte "i madh". Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme rreth diskutimit privat, por tha se Rosenstein kishte ende një punë.
Rosenstein ka mohuar raportin e 21 shtatorit të New York Times si "të pasaktë". Artikulli tha se Rosenstein kishte bërë sugjerimet mbi shqetësimin rreth kaosit në administratëne Shtëpisë së Bardhë, për shkak të "paaftësisë së tij" së presidentit.
I pyetur më parë nga një gazetar nëse kishte ndonjë plan për shkarkimin e numrit 2 të drejtësisë, Trump tha: "Jo, jo, jo."
Rosenstein mbikëqyr hetimin special të Robert Mueller për Rusinë. Rusia mohon ndërhyrjen dhe Trump thotë se nuk kishte bashkëpunim midis fushatës së tij dhe Moskës.
Sipas Reuters, shkarkimi i Rosenstein para zgjedhjeve të 6 nëntorit të kongresit mund të ketë pasoja politike. Demokratët besojnë se do të ngrinte pyetjet nëse Trump do të mbyllte hetimin e Mueller, i cili mund të aktivizonte votuesit e tyre në garën e Senatit.
Trump u tha gazetarëve të hënën se ai kishte një "marrëdhënie të mirë" me Rosenstein.
"Unë nuk e njihja Rodin më parë, por unë jam përpjekur që të njihem dhe unë ndihem shumë mirë me të", tha ai.
Trump vazhdimisht i ka cilësuar hetimet si "gjueti shtrigash".



