Presidenti ka vendosur të mos e betojë Asim Vokshin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, pasi pret që Kushtetuesja të shqyrtojë në 11 nëntor në themel padinë e ish-kryetares së KLGJ-së, Naureda Llagami, për ligjshmërinë e procesit të përzgjedhjes. Avokati Gylsen Zhllima duke folur në “Mcn Informacion” theksoi se sistemi i ri i drejtësisë është bërë politikë. Sa i takon rastit konkret, Zhllima mendon që të dyja palët janë të fajshëm.
“Dua të konstatoj diçka që më bën të dyshoj. Në rast se do shikojmë fletën e votimit do shikojmë dy shenja. Ka hije dyshimi për procesin në tërësi. Ky Këshill ka funksionuar në 2020. Pse duhet të kemi dy shenja nga persona që s’besoj se gabojnë, dhe kur gabojnë e dinë si gabojnë. Është i qëllimtë. Znj. në fjalë ka qenë kryetarja e Këshillit të Gjyqësorit. Diçka s’ka shkuar mirë që në 2020-ën, dhe kjo ngjarja është pasojë e kësaj. Autorët e reformës s’mund të na dalin viktimat e reformës. Sistemi i ri i drejtësisë është bërë politikë dhe është politikë. Politika ka kapur sistemin më të lartë që është Gjykata Kushtetuese. SPAK-u ka bërë gabime fatale të ndikuara nga politikëbërja. Për të shkuar te rasti konkret, të dy palët janë të fajshme, sepse kur ia bën gropën tjetrit, një ditë shkon edhe ti te gropa vetë. Vendimi i z.Begaj do të jetë në favor të PS”.
Ndër të tjera Zhllima tha që Gjykata Kushtetuese e përbërë nga militantë të PS u konstatua se shkeli të drejtat e njeriut në rastin e paktit Rama-Meloni.



