Gazetari Erjon Skëndaj ka udhëtuar këtë të premte drejt fshatit Treblovë në Vlorë, ku përpara disa ditësh banorët janë ngritur në protestë dhe kërkojnë që t’i ndërtohet një rrugë që të lidhë zonën me qytetin.
Banorët e këtij fshati kanë nevojë të ndërtohen 4 km rrugë.
Për “Fol” një nga banorët e Treblovës tha se fshati po dënohet për së dyti, pasi është cilësuar si fshat kulak gjatë kohës së diktaturës.
Fshati ynë i dënuar në atë sistem, nga ’90 e këtej është më i dënuar nga ky sistem që jemi sot. Në fshatin tonë ka pasur 350-360 shtëpi, sot është 100 shtëpi. 100 shtëpi për arsye të një cope rrugë. Ku fshat ka mbi 50 mijë rrënjë ullinj pasuri. Ky fshat ka 700-800 hektarë tokë pune.
Është një fshat që e ushqen Selenicën me të gjitha asortimentet. Ky fshat i pa ujë bën të gjithë gjërat që blen Selenica. Kemi mbetur si peshku pa ujë. Një rrugë nuk është bërë në 32 vite. Aty poshtë ka rënë një shtyllë tensioni, vijnë 50 elektricistë vërdallë, e fshati nuk ka rrjet elektrik. Shtylla ka 20 vjet e rënë. Sot në Treblovë s’ka drita. Linjat janë të shkatërruara.
Jemi mbi rërë bituminoze. Ne flemë mbi rërë bituminoze. Dhe një copë rrugë që e kemi bërë aty, e kemi hedhur aty. Pjesa tjetër është lumë dhe përrua.
Një tjetër banor tha se për ta është jetike që të ndërtohet rruga, megjithëse fshati nuk ka as ujë, as drita dhe shërbim mjekësor.
Fshati ka pasur 2 mijë banorë, tani mund të jenë 170. Nuk ka njeri në Treblovë se nuk ka nga vjen, nuk ka nga shkon. Jemi fshati më i prapambetur në Bashkinë Selenicë, s’kam parë asnjë fshat tjetër në këtë gjendje. Rrugë nuk kemi, ujë nuk kemi, drita nuk kemi, shkollë nuk kemi, mjekë nuk kemi. Vjen një herë në muaj, njeriu vdes në minutë, jo një herë në muaj. Kemi nevojë për të gjitha, mundohuni të na bëni rrugën. Duam rrugë të lidhemi me qytetin. Duam rrugë me bashkinë.



