Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se ekonomia e Rusisë do të rritet më shpejt se të gjitha ekonomitë e përparuara të botës, përfshirë SHBA-në, këtë vit. Sipas FMN-së pritshmëritë janë që ekonomia ruse të rritet me 3.2% këtë vit, dukshëm më shumë se Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania.
Eksportet e naftës janë "mbajtur të qëndrueshme" dhe shpenzimet qeveritare "kanë mbetur të larta" duke kontribuar në rritje, tha FMN. Sa i takon panoramës së përgjithshme thuhet se ekonomia botërore ka qenë “jashtëzakonisht elastike”.
"Pavarësisht shumë parashikimeve të zymta, bota shmangu një recesion, sistemi bankar u tregua kryesisht elastik dhe ekonomitë kryesore të tregut në zhvillim nuk pësuan ndalesa të papritura," tha FMN.
FMN është një organizatë ndërkombëtare me 190 vende anëtare. Ky organ global shërben si pikë referimi kryesisht nga bizneset për të ndihmuar në planifikimin se ku të investojnë, dhe nga bankat qendrore, për të udhëhequr vendimet e tyre në raport me normat e interesit.
Pavarësisht se Kremlini u sanksionua për pushtimin e Ukrainës, FMN-ja përmirësoi parashikimet e saj të janarit për ekonominë ruse këtë vit dhe tha se ndërsa rritja do të ishte më e ulët në vitin 2025, do të ishte akoma më e lartë se sa pritej më parë në 1.8%.
Investimet nga ndërmarrjet e korporatave dhe ato shtetërore dhe "fuqia në konsumin privat" brenda Rusisë ndikuan në nxitjen e rritjes, krahas eksporteve të forta të naftës, sipas Petya Koeva Brooks, zëvendësdrejtoreshë në FMN.
Rusia është një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë dhe në shkurt, BBC zbuloi se miliona fuçi karburant të prodhuar nga nafta ruse ishin ende duke u importuar në Mbretërinë e Bashkuar pavarësisht sanksioneve.



