
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka referuar pranë Zyrës së Prokurores së Përgjithshme të gjithë dokumentacionin që rezultoi nga hetimi administrativ gjatë procesit të rivlerësimit të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, në bazë të nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale, ka referuar pranë Zyrës së Prokurores së Përgjithshme të gjithë dokumentacionin që rezultoi nga hetimi administrativ gjatë procesit të rivlerësimit të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, zotit Besnik Imeraj.”, thuhet në njoftimin zyrtar të Komisionit të pavarur të Kualifikimit.
Kujtojmë që me 31 janar Besnik Imeraj, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, dha dorëheqjen duke e argumentuar motivin me arsye personale. Ai u dekretua si anëtar i Kushtetueses nga presidenti i asaj kohe Bujar Nishani me dekret Nr. Dekretit 8066, datë 22 Mars 2013.
Imeraj ishte ndër të parët në listën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që do të thirrej nga organet e Vettingut, ndërsa më herët kishte nisur verifikimi i gjithë anëtarëve të trupës së Gjykatës Kushtetuese.



