
Situatën e krijuar në PD pasi gjykata njohu Komisionin e Rithemelimit, analisti Ilir Kalemaj e sheh si një moment që do të përcaktojë demokracinë reale brenda partisë. Në studion e lajmeve të MCN TV, Kalemaj tha se mbetet për t’u parë mënyra si do të shkohet te zgjedhja e kryetarit të ri, ndërsa theksoi se, nëse Berisha është kandidat, padyshim që do të fitojë.
PD organin më të rëndësishëm ka grupin parlamentar. Por ai është i përçarë në tre pjesë. Në një situatë të tillë, ku flasim për një shumicë të heshtur, duhet të ketë një mekanizëm përbashkues. Ata flasin gjuhë të ndryshme. Duhet qartësuar nëse do jetë parti që legalizon garë të barabartë. Nëse Berisha është kandidat, padyshim që ai do të jetë fituesi.
Megjithatë, sipas Kalemaj rikthimi i Berishës do ta bënte të paqartë pozicionin e partisë në raport me SHBA-të.
Kjo e komplikon situatën e PD. Përtej konveniencës së Sali Berishës, sa i shërben kjo PD? A i shërben rikthimi i tij vizionit apo qasjes strategjike të partisë. PD do të vuante pasojat. Jo vetëm për shkak se SHBA janë shprehur përmes ambasadores, por është shprehur vetë DASH. Dhe në momentin që ka një qëndrim zyrtar, ne nuk dimë të ketë raste prapakthehu. Sa do t’i ndikojë kjo shanset e PD, për tu futur në garë dhe për të ardhur në pushtet, kjo mbetet për t’u parë.



