Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndodhet në Kopenhagen, ku po merr pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane (PPE), që zhvillohet me pjesëmarjen e drejtuesve të partive të djathta europiane.
Siç njofton zyra e shtypit të PD-së, në fjalën e tij para asamblesë, Basha bëri një pasqyrë të zhvillimeve politike në vend dhe ndau me politikanët e djathtë europianë vizionin e tij për të ardhmen e PD-së dhe të opozitës. Në mënyrë të veçantë, ai theksoi rëndësinë që ka për opozitën dhe vetë demokracinë në Shqipëri reformimi i sistemit zgjedhor, për t’i dhënë fund përgjithmonë, sipas tij, historisë së manipulimit të zgjedhjeve.
Gjithashtu, gjatë takimeve me drejtuesit e partive simotra, Basha diskutoi gjithashtu mbi përballjen me sfidat për integrimin europian të vendit, dhe mori mbështetjen e tyre në këtë proces. Basha mori gjithashtu premtimin për vazhdimin e mbështetjes direkte politike të PPE-së dhe partive simotra për Partisë Demokratike, përfshi mbështetjen me këshillim dhe asistencë në lidhje me strategjinë dhe alternativën opozitare.



