
Ambasada Amerikane hapet sot në Jeruzalem, nën masa të rrepta sigurie. Vendimi i bërë i ditur në dhjetor nga presidenti Donald Trump, pavarësisht kundërshtimit të fortë të vendeve arabe, palestinezëve dhe OKB-së, bëhet sot realitet. Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe Bashkimin Europian, i druhet faktit se ky hap mund të shënojë fundin e zgjidhjes së konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës.
Pikërisht në frontin europian janë regjistruar edhe “rrjedhjet” e para. Katër vende të 28-shes së BE-së: Austria, Hungaria, Rumania dhe Republika Çeke, i janë përgjigjur ftesës së Ministrisë së Jashtme të Izraelit, duke dërguar përfaqësuesit e tyre në Jeruzalem. Duket se dy prej tyre, Republika Çeke dhe Rumania, do të jenë pasueset e SHBA-ve në vendimin për të zhvendosur ambasadat e tyre nga Tel Avivi në Jeruzalem.
Mbrëmjen e së dielës, kryeministri Netanjahu priti delegacionin amerikan, që pritet të marrë pjesë në ceremoni. Vajza e presidentit, Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, i ngarkuar me dosjen izraelo-palestineze për llogari të presidentit; sekretari amerikan për Thesarin, Steve Munchin; zv.sekretari i Shtetit, John Sullivan, dhe 12 anëtarë të Kongresit përbëjnë delegacionin amerikan.
Izraeli ka dërguar 800 ftesa, 86 prej të cilave për diplomatë, nga të cilat janë pranuar vetëm 33. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se në ceremoni nuk do të ketë përfaqësues të Rusisë dhe Egjiptit.
Ushtria e ka shtuar praninë e saj përgjatë kufirit me dy batalione të reja dhe ka dërguar një të tretë në Cisjordani. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



