Avokati Ledio Braho tha në MCN Live se pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë mbi vulën dhe logon e PD-së, tanimë çështja në Apel do të gjykohet shpejt, dhe më në fund do të kemi një vendim të formës së prerë. Ai vuri në dukje se do të ketë një vendimmarrje për vulën dhe logon e PD-së para zgjedhjeve të 2025-ës.
Ajo që rezulton nga njoftimi që ka konstatuar trupa e Gjykatës së Lartë, është fakti që vendimi i Gjykatës së Apelit ka pasur problematika proceduriale, së pari që janë shprehur për kërkime të papretenduara nga palët në ankim, dhe nuk i kishin dhënë përgjigje pretendimit të palëve në ankim. Ajo që është më interesante ka të bëjë me faktin që Gjykata e Lartë i ka caktuar Gjykatës së Apelit që ta gjykojë ajo me themel çështjen. Vendimi i Gjykatës së Lartë, çështja në Gjykatën e Apelit do të gjykohet më shpejt, sepse është nuk do të pres radhën e gjykimeve të tjera, por do të gjykohet me procedurë të përshpejtuar sepse është kthyer nga Gjykata e Lartë, dhe do të kemi një vendim të formës së prerë. Tashmë çështja do të gjykohet përfundimisht nga Gjykata e Apelit, pasi nëse nuk do ishte pranuar rekursi, çështja do shkonte sërish në Shkallën e Parë. Nuk e shoh si zvarritje të procesit, e shoh si një zgjidhje të mirë, që do kemi një vendimmarrje para zgjedhjeve të 2025-ës, që është shumë mirë për palët, për të ditur kush e përfaqëson PD-në. Interpretimet e djeshme janë thjesht politike, prandaj jepen këto mesazhe për ndjekësit. Çdo koment politik që bëhet mbi çështjen është koment politik. Unë vazhdoj i qëndroj mendimit që për të mirën e PD zgjidhja s’duhet të vijë nga gjykata, por nga palët në marrëveshje. Por me sa duket konflikti ka arritur në një pikë që s’mund të shuhet më pa një vendim gjykate”.
Kushtetuesja miratoi hartën e re gjyqësore, duke rrëzuar padinë e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Duke komentuar këtë vendim Braho thotë se kemi të bëjmë me një vendim politik me natyrë kompromisi.
Me shumë keqardhje e lexova njoftimin. Thuhet që vendimmarrja është marrë me shumicë votash, nuk ka pasur unanimitet në trupën e Gjykatës Kushtetuese. Edhe shumica ka konstatuar që në këtë vendim të Këshillit të Ministrave ka cenim të të lirisë ekonomike, ka cenim të të drejtës së individit në gjykatë. Këtu hyn edhe niveli politik, jo në kuptimin partiak, por të politikave që bën Gjykata Kushtetuese, që në raport me proporcionalitetin dhe interesin publik, cenimet s’janë të tilla që cenojnë liritë kushtetuese. Unë e shoh si një zgjidhje kompromisi, si shumë zgjidhje të tjera që janë bërë në Shqipëri. Por ne sot të gjithë duhet ta pranojmë që kjo hartë e re gjyqësore s’ka sjellë asnjë përmirësimi sa i përket atyre që janë pretenduar në fillim nga organet e drejtësisë, madje stoku në Gjykatën e Apelit sa vjen edhe shtohet. Nuk ka asnjë projekt për një Gjykatë të re të Apelit. Sot nuk ka salla dhe zhvillohen procese gjyqësore deri në 20:00 të mbrëmjes. Ndërkohë që zgjidhja që u propozua nga Dhoma e Avokatisë ishte për tre Gjykata Apeli, një në Tiranë, një në Jug dhe një në Veri, që do ishte zgjidhja më e mirë. Këtë vendim e shoh tipik nga ato vendimet politike dhe me natyrë kompromisi. Organet e reja të drejtësisë, KLGJ, nuk më duket në nivelin e duhur për të propozuar ndryshimet e duhura në legjislacion. Shumë nga aktorët apo baballarët e reformës në drejtësisë, e kanë menduar reformën si mënyrë për të qenë pjesë e organeve të reja të drejtësisë. Askush s’mbajti përgjegjësi për ato që solli reforma në drejtësi në afatshkurtër”.
I pyetur mbi masën “arrest shtëpie” që pritet të vendoset sot ndaj Sali Berishës, Braho tha se me ndryshimet në nenin e Kodit të Procedurës në vitin 2017, nuk parashikohet më ndalim i komunikimit.
Mund të them që neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ka pësuar ndryshime në vitin 2017-ën. Pas 2017-ës nuk ekziston më parashikimi për ndalimin e komunikimit. Fakti që ka qenë e aplikuar dhe është e hequr si dispozitë, do të thotë që ajo s’mund të aplikohet më. Nuk besoj se gjykata do pranojë një kërkesë kaq hapur të pabazuar në ligj, besoj që është lapsus nga prokurorët, s’besoj se e kërkojnë këtë, kur është shfuqizuar si dispozitë”.



