Partia Socialiste mban sot Asamblenë e radhës. Takimi ka nisur me fjalën e kryetarit Edi Rama.
Rama: Turizmi na zbardhi faqen, pesë vitet e ardhshme mbeten sprovë
Në fjalën e tij në nisje të mbledhjes së Asamblesë Socialiste, kryeministri Edi Rama tha se vendi ka bërë shumë hapa përpara, por ka ende shumë punë për të bërë. Rama tha se Shqipëria po lë pas një sezon të suksesshëm turistik, që i ka zbardhur faqen në arenën ndërkombëtare.
Pesë vitet e ardhshme, sprovë për Shqipërinë turistike. Ne sapo kemi futur këmbët në superligën e turizmit, të tjerët kanë vite që luajnë për kupën. Lajmi më i bukur i këtij viti është afirmimi ndërkombëtar i Shqipërisë i kthyer në destinacion evuropian. Kjo tregon se Shqipërisë i është zbardhur njëherë e mirë faqja nga një e shkuar e tmerrshme. Shqipërisë i ka ardhur çehrja në arenën ndërkombëtare. Pas pak ditësh do të jemi në krye të tryezës së Këshillit të Sigurimit në OKB.
Rama tha se suksesi në turizëm duhet të pasohet me punë për ta kthyer atë në një sektor të qëndrueshëm.
* * *
Rama: Nuk ia fshij askujt bajgën e korrupsionit nga fytyra me dorën e partisë
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, kryeministri u distancua edhe njëherë nga çdo rast korrupsioni për të cilin drejtësia ka nisur hetimet. Rama tha se nuk mban përgjegjësi për asnjë bashkëpunëtor që ia merr mendjen paraja dhe pushteti. Ai theksoi se ata nuk do të gjejnë kurrë strehë te Partia Socialiste.
Kam përgjegjësi të madhe morale. Më të madhen pa diskutim. Përgjegjësia ime nuk është as të skuqem, as të kërkoj ndjesë apo të zmbrapsem pse dikujt që i besoj një punë e mbështes pa fund dhe atij i merr mendjen pushteti e paraja dhe tradhton besimin tim dhe tuajin, por edhe flamurin. Flamurin e të gjithë shqiptarëve por edhe atë të PS-së.
Për t’ia fshirë bajgat e korrupsionit nga fytyra me dorën e partisë. Jo! Drejtësia do të ndëshkojë pavarësisht nga ngjyra çdo lloj këlyshi që e ka mbajtur drejtësinë si qen të lidhur me pushtetin e politikës për plot 100 e kusur vjet më vonë.



